Last Updated on 25/05/2026 by EL
Në fshatin Velagosht të bashkisë së Kuçovës, banorët vijojnë të përballen me mungesën e infrastrukturës rrugore, një problem që sipas tyre zvarritet prej më shumë se tre dekadash.
Dikur me rreth 150 familje, sot fshati është tkurrur ndjeshëm nga largimet, ndërsa pjesa më e madhe e banorëve rikthehen vetëm për të punuar tokat me ullinj.
Në këtë zonë ndodhen rreth 250 mijë rrënjë ulliri, të cilat mbeten burimi kryesor i të ardhurave për familjet e zonës.
Rruga prej afro 3 kilometrash që lidh fshatin me aksin kryesor është e amortizuar dhe e mbushur me gropa, duke vështirësuar transportin e prodhimeve bujqësore dhe lëvizjen e banorëve.
“Kemi 30 vjet që e kemi ngritur problemin e kësaj rruge dhe as nuk është bërë, as nuk kujtohet njeri ta bëjë. Nuk çojmë dot ullirin që prodhojmë, po të kesh një të sëmurë me urgjencë nuk e çon dot. Kam qenë i sëmurë nga zemra dhe mezi më kanë çuar natën në spital, se rruga është e gjitha me gropa”, shprehen qytetarët.
Banorët tregojnë se gjatë sezonit të ullirit situata bëhet edhe më problematike, pasi automjetet shpesh dëmtohen dhe nuk arrijnë të futen në fshat.
Sipas tyre, mungesa e investimeve ka ndikuar edhe në largimin e të rinjve, ndërsa në fshat kanë mbetur kryesisht të moshuar.
“Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, vetëm rrugën. Janë mbi 150 familje që kanë ullinjtë këtu dhe vijnë çdo ditë për t’i punuar. Kur vjen koha e ullirit torturohemi, sepse makinat prishen dhe nuk futen dot në fshat. Ka pasur raste që të sëmurët i kemi çuar me makina 4×4. Vijnë vetëm në kohë fushate, premtojnë dhe më pas gjithçka mbetet njësoj”, theksojnë ata.
Pavarësisht protestave të banorëve, Bashkia e Kuçovës nuk ka ndërmarrë ende një hap konkret për sistemimin e rrugës./ET
