Inteligjenca artificiale (IA) po ndihmon spitalet të parandalojnë luhatjet e rrezikshme të nivelit të sheqerit në gjak te pacientët me diabet.
Sistemi shëndetësor “Temple Health” në Filadelfia ka raportuar një ulje më shumë se dy herë të rasteve të hipoglicemisë falë një mjeti që parashikon rrezikun e pacientëve për rënie të nivelit të glukozës.
Nivelet shumë të larta ose shumë të ulëta të sheqerit në gjak mund të shkaktojnë komplikacione serioze, përfshirë kriza, dështim të veshkave dhe madje vdekje. Për këtë arsye, spitalet po kërkojnë mënyra më efektive për monitorimin dhe menaxhimin e pacientëve me diabet.
Programi “EndoTool Sub-Q”, i përdorur nga “Temple Health”, analizon faktorë të ndryshëm si pesha, gjatësia, metabolizmi dhe funksioni i veshkave për të rekomanduar doza të personalizuara të insulinës. Sistemi përmirëson saktësinë e tij sa më shumë të dhëna mbledh për secilin pacient.
Teknologji të ngjashme po përdoren edhe në institucione të tjera amerikane. “St. Luke’s Health Network” përdor IA për të parashikuar arrestet kardiake, ndërsa Jefferson Health dhe Penn Medicine e përdorin për të përmbledhur automatikisht bisedat mes mjekëve dhe pacientëve.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se inteligjenca artificiale nuk mund të zëvendësojë personelin mjekësor. Në rastin e “EndoTool”, çdo rekomandim duhet të miratohet nga një mjek ose infermier përpara administrimit të insulinës. Përfaqësues të infermierëve paralajmërojnë se gjykimi profesional dhe kontakti njerëzor mbeten thelbësorë në kujdesin ndaj pacientëve.
Administratorët e “Temple Health” thonë se po zbatojnë një qasje të kujdesshme ndaj teknologjive të reja, duke i testuar ato fillimisht në programe pilot dhe duke vlerësuar rregullisht rezultatet. Sipas tyre, qëllimi është përdorimi i IA-së si një mjet mbështetës për përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe jo si zëvendësim i ekspertizës njerëzore./mxh
