FSK-ja do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, me marrëveshjen tashmë të firmosur gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të komandantit të ISF-së, gjeneralmajorit Jasper Jeffers, dhe kreut të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtnant Bashkim Jashari, në prani të ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe një përfaqësuesi të Bordit të Paqes.
Gjatë ceremonisë, Jeffers vlerësoi vendimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në këtë mision ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e kontributit të FSK-së në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet. Jashari nga ana e tij nënvizoi se pjesëmarrja në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Prishtinës për të dhënë një kontribut konkret në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë.
Sipas FSK-së, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të Kosovës në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet. FSK-ja theksoi gjithashtu se synon të rrisë vazhdimisht kontributin e saj në sigurinë ndërkombëtare, me objektivin strategjik që Kosova të kalojë nga një “importuese e sigurisë” në një “eksportuese të saj”.
Shqipëria do të angazhohet edhe ajo misionin ndërkombëtar stabilizues në Gaza. Faza e parë e këtij angazhimi do të konsistojë në dërgimin e oficerëve të shtabit, të cilët do të integrohen në strukturën komanduese të forcës në fjalë, e më pas në varësi të zhvillimeve në terren dhe vlerësimeve operative, do të vendoset edhe për dërgimin e trupave të tjera./ad
