Last Updated on 21/02/2026 by Anisa
Qindra qytetarë kanë mbetur të bllokuar në të dyja anët e aksit kombëtar Librazhd–Korçë, pas pezullimit pa afat të qarkullimit në zonën e njohur si Arrat e Gurrës, ku është regjistruar fundosje dhe zhvendosje e tokës.
Sipas informacioneve nga terreni, çarje të thella janë shfaqur në trupin e rrugës, duke rritur rrezikun për shembje të mëtejshme. Për shkak të situatës, autoritetet kanë vendosur ndalimin e plotë të lëvizjes në këtë segment, duke lënë në pritje familje me fëmijë të vegjël, të moshuar dhe drejtues mjetesh transporti.
Të irrituar nga mungesa e informacionit të qartë dhe alternativave të menjëhershme për devijim, disa qytetarë kanë zgjedhur ta përshkojnë segmentin e dëmtuar në këmbë për të vijuar udhëtimin, pavarësisht rrezikut. Ndërkohë, pritet një vlerësim i specializuar për stabilizimin e zonës dhe rikthimin e sigurt të qarkullimit.
