Ngjarja e rëndë ku tre vajza dhunuan një 17-vjeçare ishte në qendër të diskutimit në emisionin “Top Story”, ku u hodhën edhe detaje të reja mbi hetimet.
Zv.ministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, deklaroi se deri në këtë fazë të hetimeve, vajzat e përfshira nuk kanë pohuar se pas tyre qëndron ndonjë person tjetër dhe se konfliktin e kanë cilësuar si një përplasje banale.
“Vajzat kanë deklaruar se ka qenë një konflikt banal mes tyre. Nuk kanë referuar një person tjetër. Nuk e di se si është kontaktuar polici”, u shpreh Ruseti.
Ndërkohë, gazetarja Dorjana Bezat tha se, sipas informacioneve që disponon, Prokuroria e Fierit po heton edhe një pistë tjetër, që lidhet me një skemë të dyshuar shantazhi.
Sipas saj, dyshohet se vajzat kontaktonin burra nëpërmjet telefonit, i joshnin dhe u caktonin takime në hotele. Në vend të tyre, në dhomë hynte një person tjetër që i filmonte, ndërsa më pas materialet filmike përdoreshin për t’i shantazhuar.
“Polici ka kontaktuar të miturat, ai ka shkuar fillimisht në banesën e tyre, ka marrë detajet. Në informacionet që kam, është një hetim i hapur nga Prokuroria e Fierit. Polici nuk ishte personi i parë dhe i vetëm që ishte shantazhuar nga këto vajza. Dyshohet se ishte një skemë ku fillimisht hynin në kontakte telefonike, i joshnin, linin takim në një hotel dhe personi shkonte në dhomën që vajzat i sugjeronin me mesazhe. Aty nuk shkonin ato për t’u ofruar shërbime seksuale, por shkonte dikush tjetër që i filmonte. Këto materiale filmike përdoreshin për shantazh më pas. Dyshohet se ka persona të tjerë të përfshirë. Telefonat e vajzave janë sekuestruar”, deklaroi Bezat./ad
