Last Updated on 19/08/2025 by adminfjala
Vrasjet e fundit kanë tronditur botën dhe kanë provokuar dënim ndërkombëtar. Por pak thuhet për nivelin e gazetarisë palestineze.
Nga Nesrine Malik
Herën e parë që u takova me drejtuesin e ekipit të Al Jazeera-s në Gaza, Tamer Almisshal, ishte në korrik të vitit të kaluar. Ekipi i tij kishte varrosur tashmë dy gazetarë, Hamza al-Dahdouh dhe Samer Abu Daqqa. Pjesa tjetër, më tha ai, ishin të uritur. Po përballeshin gjithashtu me vështirësi për të siguruar pajisje mbrojtëse, kërcënime nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe vrasjen e anëtarëve të familjes. Ismail al-Ghoul nuk e kishte parë gruan dhe fëmijën e tij për muaj të tërë dhe po i mungonin fort. Hossam Shabat, Mohammed Qraiqea dhe Anas al-Sharif kërkonin pak kohë në mëngjes për të siguruar ushqim para se të nisnin raportimet. Sot, të gjithë ata janë të vdekur.
Fola me disa anëtarë të ekipit të Gazës ndërsa po shkruaja një profil për gazetarin veteran Wael al-Dahdouh, i cili humbi gruan, tre fëmijët dhe nipin e tij. Të gjithë e përshkruanin punën e tyre si një detyrë që duhej kryer pavarësisht rrezikut. Që prej asaj kohe, tre anëtarë të atij ekipi janë vrarë në një zinxhir atentatesh. Çdo herë që dërgoja ngushëllime, përgjigjja ishte gjithnjë e njëjtë: se mbulimi nuk do të ndalej. “Ne po vazhdojmë,” më tha redaktori i Gazës javën e kaluar, pasi humbi të gjithë ekipin e tij në qytetin e Gazës gjatë një sulmi të synuar që vrau Sharif, Mohammed Nofal, Ibrahim Thaher dhe Qraiqea. “Nuk do të tradhtojmë mesazhin e tyre, apo dëshirat e tyre të fundit.”
Ndërsa këto vrasje tronditën botën – dhe reagimi ndaj tyre u mjegullua nga pretendime të paprovuara dhe, në disa raste, absurdisht të pabesueshme se disa prej këtyre gazetarëve ishin militantë – pak është thënë për nivelin e gazetarisë në Gaza. Për sa të rrjedhshëm, artikulues dhe të qetë janë gazetarët e saj nën rrethana të pamundura. Për sa shumë ata arrijnë të pasqyrojnë ngjarje të tmerrshme dhe dhimbje të përditshme, me një arabisht gazetareske që e kanë përsosur në art, ndërkohë që ruajnë një prani profesionale dhe të përmbajtur para kamerës. Për sa shumë ata arrijnë të ruajnë gjakftohtësinë. Shpesh e kisha të vështirë të përktheja fjalët e tyre në anglisht, aq e pasur dhe e gjerë është shprehja e tyre. Madje edhe mesazhi i fundit i Sharif-it, një tekst i denjë për historinë, humbet një pjesë të fuqisë së tij në përkthim. Në të, ai u drejtohet atyre që “na mbytën frymën”, por fjala që përdor është më afër “rrethimit” – duke evokuar jo vetëm asfiksinë fizike, por edhe heshtjen e zërit të një populli nën survejim.
Ajo që më godet sa herë flas me gazetarë në dhe nga Gaza është se sa të përkushtuar dhe tragjikisht idealistë janë; sa shumë gazetaria për ta është një detyrë, edhe kur kjo nënkupton vdekje të sigurt. Të gjithë ata që u vranë kishin një zgjedhje, dhe ata që janë ende gjallë dhe raportojnë, ende e kanë. Sharif tha se ishte kërcënuar disa herë nga autoritetet izraelite gjatë dy viteve të fundit. Al Jazeera më tha se ai kishte marrë një paralajmërim nga inteligjenca izraelite që t’i ndalonte raportimet. Kur ai refuzoi, babai i tij u vra në një sulm ajror. Kur Ghoul mori detyrën nga Dahdouh në fillim të vitit të kaluar, Dahdouh i tha se ishte një punë e rrezikshme dhe askush nuk do ta gjykonte nëse do të largohej dhe të kthehej tek gruaja dhe fëmija i tij. Ghoul refuzoi – dhe më pas u dekapitua në një sulm të synuar.
Ajo që qeveria izraelite po përpiqet të bëjë me këto vrasje nuk është vetëm ndalimi i transmetimit të raporteve dhe pamjeve dëshmuese, por shkatërrimi i vetë imazhit të palestinezëve që këta profesionistë të medias përcjellin. Besueshmëria, dinjiteti dhe talenti që gazetarët e Gazës shfaqin për botën në raportimet e tyre dhe në postimet në rrjetet sociale duhet të shuhen. Sa më shumë që Gaza të shihet si një vend i mbushur vetëm me militantë, pa narratorë të besueshëm, dhe ku justifikimet e Izraelit për vrasje dhe urinë nuk mund të sfidohen nga dëshmitarë të besueshëm, aq më e lehtë është për Izraelin të ndjekë fushatën e tij gjenocidale.
Një hetim i fundit nga +972 Magazine dhe Local Call zbuloi ekzistencën e një njësie të ushtrisë izraelite, me emrin ogurzi “legitimisation cell”, e ngarkuar – sipas raportit – me “identifikimin e gazetarëve me bazë në Gaza që mund të paraqiteshin si operativë të fshehtë të Hamasit, me qëllim zbutjen e zemërimit global në rritje mbi vrasjen e gazetarëve nga Izraeli”. Burime nga hetimi pohonin se kjo përpjekje “nxitej nga zemërimi se reporterët me bazë në Gaza po ‘njollosnin emrin e Izraelit para botës’”.
Ky mekanizëm mbështetet kryesisht mbi aftësinë e Izraelit për të përdorur mediat perëndimore, të cilat shpesh trajtojnë pretendimet e tij si të besueshme – edhe pse herë pas here ato janë provuar të jenë të pavërteta. Punonjës të emergjencës që u vranë sepse, sipas IDF, “po përparonin në mënyrë të dyshimtë”, më vonë u gjetën të lidhur dhe të qëlluar me stil ekzekutimi. Pretendimi se Hamasi po vidhte sistematikisht ndihma – i përdorur për të justifikuar bllokadën dhe urinë – u kundërshtua nga burime brenda vetë ushtrisë izraelite. Dhe kur njerëzit qëndronin në radhë për ndihma humanitare, ishte Hamasi që i gjuante, jo Izraeli, sipas deklaratave zyrtare izraelite.
Në fund të fundit, ky sjellje duhet të quhet ashtu siç është: mashtrim sistematik që të heq të drejtën për të qenë një autoritet i besueshëm. Dhe megjithatë, përsëri na thuhet: Izraeli vrau një gazetar, por ja edhe pretendimi i Izraelit se ai gazetar ishte militant. Ju mund të vendosni vetë. Ambiguiteti i krijuar bën që, edhe kur këto pretendime nuk mund të verifikohen, ato të ngjizen me një farë peshe të supozuar. E shihni se si funksionon kjo?
Në fushat e përgjakshme të Gazës, gazetaria po përballet me orën e saj më të errët – por kjo nuk do të ndalojë raportimin.
E vërteta është se gazetarët në Gaza janë tradhtuar në mënyrë kolosale nga shumë prej kolegëve të tyre në mediat perëndimore – jo vetëm në mënyrën se si raportohen vrasjet e tyre, por edhe në mënyrën se si përshkruhet i gjithë konflikti. Shifrat e të vdekurve dhe të uriturve në Gaza shpesh paraqiten si të dhëna që vijnë nga “ministri të drejtuara nga Hamasi”, por nuk i shihni deklaratat e autoriteteve izraelite të shoqëruara me shënimin se janë të pabesueshme në mënyrë të përsëritur, apo që pranë emrit të Benjamin Netanyahut të shtohet shprehja “i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale”. Ndërkohë, fjala e gazetarëve palestinezë nuk mjafton kurrë – jo derisa mediat e huaja (të cilat nuk lejohen të hyjnë në Gaza) të japin gjykimin e tyre përfundimtar si “standard i artë”. Ata përjashtohen nga trupi i gazetarisë, dhe e vërteta e tyre varroset bashkë me ta.
Megjithatë, në Gaza gjithmonë do të ketë dikë të guximshëm e me sy të kthjellët që vazhdon mbulimin. Dikë që vesh një jelek shtypi që e bën shënjestër. Ata vazhdojnë të mbajnë, vetëm, përgjegjësinë e sjelljes së realitetit të ngjarjeve në Gaza përpara botës – edhe kur zërat dhe frymëmarrja e tyre janë të rrethuar.
*Nesrine Malik është kolumniste e Guardian/ Përgatiti për boim: L.Vezi
