Last Updated on 17/12/2024 by adminfjala
Dy ditë më parë gazetari Roland Qafoku promovoi në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit librin e tij “100 personalitetet më të spikatura të Skraparit”.
Në librin voluminoz me rreth 1 mijë faqe, Qafoku ka përzgjedhur 100 figura që kanë ndikuar në jetën politike, sociale, ekonomike, kulturore jo vetëm të Skraparit, por të gjithë Shqipërisë.
“Unë prej vitesh kisha menduar të jepja një kontribut sado modest për Skraparin. Ai vend që ne e quajmë si një xhep gjeografik, në fakt mua nuk më rezultonte të ishte kështu në histori. Më bënte përshtypje se në ato pak kilometra katrorë që ka ajo krahinë, në një terren tërësisht të pakëta jetese, në çdo periudhë, në çdo kohë në çdo regjim kishte prodhuar figura. Nga kryengritës ndaj Osmanëve, tek arkitektë e perandorë, nga rilindas të mirëfilltë, te mësues që i mësonin fëmijëve gjuhën shqipe. Nga luftëtarë që nuk e hoqën armën nga dora, te mendjet e arsimuar në universitetet më të mira europiane. Nga Kryeministra e Ministra deri te President. Më të vërtetë nuk ka asnjë krahinë tjetër të Shqipërisë , këtë “fabrikë” që ka prodhuar kaq shumë figura kombëtare. Kjo më ka bërë që të vendosja bashkë 100 skraparllinj në një libër”, tha në fjalën e tij Roland Qafoku.
Për rreth dy orë u prezantua jo vetëm përmbajtja e librit, por edhe disa fjalime nga personalitete të rëndësishme si ambasadori Dashnor Dervishi, profesor Sherif Bundo, Shqiponja Dosti dhe ish-ministri Fatmir Xhafaj.
Në një ambient sa familjar, po aq edhe mondan u shijuan tingujt e pianos nga pianistja Ardita Bufaj.