Last Updated on 30/09/2025 by adminfjala
Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet sot në orën 09:00, në Kryesinë e Kuvendit për të shqyrtuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për mocionin me debat për programin e qeverisë.
Duket se sot pritet të marrë drejtim kjo kërkesë e opozitës, e cila edhe gjatë ditës së djeshme në Konferencë Kryetarësh dhe seancë plenare krijoi debate në lidhje me seancën e 18 shtatorit ku u miratua pa debat programi qeverisës.
Kjo si pasojë e “kaosit” që opozita krijoi në Parlament pasi Kryeministri Edi Rama prezantoi fillimisht “Diellën” si ministren e parë të kabinetit.
Kreu i qeverisë, Edi Rama, i bëri thirrje opozitës disa herë që të mos e ndërpresin por e kundërta ndodhi. E gjendur në këtë situatë, mazhoranca kaloi menjëherë në votim programin e qeverisë dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave.
Revolta e opozitës nuk ndalet pasi vazhdimisht thotë se nuk e njeh këtë seancë plenare pa debat ndërsa duket se e vetmja formë është t’i japin zgjidhje përmes kërkesës për mocion.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili do sërish përballë Edi Ramën u shpreh edhe ditën e djeshme në Konferencën e Kryetarëve se seanca plenare e 18 shtatorit ishte në shkelje të Rregullores së Kuvendit.
Opozita kërkon gjithashtu edhe largimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi. Ky i fundit, gjatë Konferencës së Kryetarëve i tha opozitës se edhe kjo kërkesë e tyre do të shqyrtohet brenda kësaj jave nga Këshilli për Legjislacionin./e.t
