Arkeologët kanë nisur gërmime të reja në Göbekli Tepe, një nga sitet më të rëndësishme arkeologjike në juglindje të Turqisë, që daton rreth 12 mijë vjet më parë.
Ministri turk i Kulturës, Mehmet Nuri Ersoy, bëri të ditur se zona e re e gërmimeve shtrihet në një sipërfaqe prej 80 me 70 metra, në veri të zonës ku janë kryer gërmimet fillestare.
Pamjet e publikuara më 13 gusht tregojnë arkeologët duke punuar në parcela të ndara, ndërsa ekipet synojnë të zbulojnë struktura që lidhen me jetën publike, si edhe gjurmë banesash të thjeshta.
Sipas Ersoyt, rezultatet e sondazheve paraprake kanë ngritur pritshmëri për zbulime të reja që mund të hedhin më shumë dritë mbi mënyrën e organizimit të komuniteteve njerëzore në këtë periudhë të hershme të historisë.
Paralelisht, në zonën e vjetër të Göbeklitepes vazhdojnë punimet për restaurimin dhe ruajtjen e strukturave të zbuluara. Pjesë e objekteve të gjetura po vendosen në pozicionet e tyre origjinale, ndërsa muret po përforcohen dhe obeliskët po mbrohen nga lëkundjet përmes përdorimit të litarëve prej çeliku.
Göbeklitepe konsiderohet një prej dëshmive më të hershme të arkitekturës monumentale të njohur deri më sot dhe vazhdon të jetë një pikë kyçe për studimin e jetës së njerëzve mijëra vite përpara qytetërimeve të para urbane./mxh
