Aktori i njohur turk Murat Yıldırım dhe bashkëshortja e tij, aktorja dhe modelja marokene İman Elbani, po përjetojnë një tjetër moment të veçantë në jetën e tyre. Çifti është në pritje të fëmijës së dytë.
Yıldırım, i cili aktualisht po përgatitet për sezonin e dytë të serialit “Güller ve Günahlar”, ka ndarë lajmin e gëzueshëm me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, duke publikuar disa fotografi dhe duke e shoqëruar postimin me mesazhin “Güzel haber”, që do të thotë “Lajm i bukur”.
Murat Yıldırım dhe İman Elbani u bënë prindër për herë të parë në tetor të vitit 2022, kur në jetë erdhi vajza e tyre, Miray. Tashmë, rreth katër vite pas lindjes së saj, familja po përgatitet të mirëpresë një tjetër anëtar.

Sipas raportimeve nga mediat turke, İman Elbani është në muajin e nëntë të shtatzënisë dhe çifti pritet të bëhet prindër për herë të dytë shumë shpejt.
Yıldırım dhe Elbani janë të martuar që prej vitit 2016. Historia e tyre ka tërhequr prej vitesh vëmendjen e publikut, ndërsa së bashku kanë ndërtuar një familje larg vëmendjes së tepërt mediatike.
Murat Yıldırım, i lindur në Konya në vitin 1979, u bë i njohur për publikun turk përmes roleve në seriale si “Fırtına”, “Asi”, “Aşk ve Ceza”, “Suskunlar”, “Ramo”, “Aziz” dhe “Teşkilat”. Ai ka punuar gjithashtu si prezantues televiziv, duke moderuar edhe “Kim Milyoner Olmak İster?”, versionin turk të “Who Wants to Be a Millionaire?”./mxh
