Last Updated on 30/08/2025 by adminfjala
Një ndër emrat ikonë të muzikës italiane të viteve ’60, këngëtari Gianni Morandi prej ditësh është duke pushuar në bregdetin shqiptar.
Legjenda e kinemasë italiane së fundmi ndodhet në Himarë ku dhe është takuar me kryebashkiakun Vangjel Tavo. Pas sygjerimeve nga miqtë e tij, Morandi fillimisht vizitori Tiranën për 1 ditë e më pas shkoi në Palasë. Pas dy ditëve ai u bë vizitor në Himarë e Dhërmi.
Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo ka shprehur kënaqësinë e për ardhjen e Gianni Morandit në Shqipëri ndërsa ka ndarë dhe video duke treguar dhe mikpritjen shqiptare.
“Kënaqësi e madhe që një ikonë e muzikës italiane si Gianni Morandi, të zgjedhë Dhërmiun për të pushuar. Pata nderin të kem një takim miqësor dhe shumë emocionues me këngëtarin i cili me muzikën e tij, ka bërë epokë dhe ka kultivuar edhe disa breza shqiptarësh, që nga vitet 60-të. Mirënjohje Gianni Morandi që zgjodhe Jugun e Shqipërisë!”, shprehet kryebashkiaku Tavo.
Nga ana tjetër, Gianni Morandi tregon se ai dhe familja e tij po i shijojnë në maksimum pushimet në brigjet e Shqipërisë.
“Italinë dhe Shqipërinë i lidhin miqësi të forta, sikurse ato të artit dhe muzikore. Shqiptarët janë shumë të apasionuar pas muzikës dhe kanë dëgjuar shumë këngë italiane në vitet 60-80. Shumë miq të mi italianë vijnë me pushime këtu. Një mik i imi inxhinier nga Bolonja më tha: Shko me pushime në Shqipëri, sepse është vend fantastik! Këtu ku qëndrojmë është shumë bukur, kemi malin dhe detin, jemi përballë njëri-tjetrit. E dëgjova dhe erdha, bashkëshortja ime është shumë e lumtur. Besoj se do rikthehem edhe herë të tjera, siç do e bëjnë edhe shumë italianë”. m.p.
