Shkruan Afrim Krasniqi
Një ftesa e çuditshme, unike dhe natyrisht edhe me përmbajtje dhe natyrë të kundërt me konceptet e shtetit të së drejtës, demokracisë funksionale dhe praktikave që zbatohen në vendet e BE, ku pushteti na thotë se do jemi në vitin 2029! Kryeministria fton drejtësinë për konsultim për të të drejtat e drejtësisë?!
Kryeministri vijon të jetë besnik i formulës së vet: injorim ligji, fushatë denigruese ndaj Tjetrit, censurë ose presion institucional dhe në fund, ftesë për diskutim dhe zgjidhje minimaliste. E bëri me akademinë dhe (me ndihmën e PSD-së) funksionoi, e bëri me studentët dhe me ndihmën e rektorëve funksionoi, e bëri me minatorët, me të përndjekurit, ndërtuesit, fasonët, me grupet e ndryshme sociale protestuese dhe pothuajse gjithnjë funksionoi. Nuk funksionoi (ende) me protestën që vijon prej muajsh. Testi i radhës? Sistemi i drejtësisë, madje edhe SPAK edhe GJKKO. Kryeministria ka ndarë në media ftesën për drejtësinë për konsultime mbi buxhetin dhe pagat e tyre.
Ftesa, akti, lista e institucioneve, tematika dhe formula janë në vetvete provokative dhe paraqesin së paku 6 probleme të rëndësishme:
Së pari: Gjykata Kushtetuese mori një vendim, Kuvendi dhe qeveria ishin të detyruar ta zbatojnë, por ato refuzuan ta bëjnë. Këtu nisi kriza, e cila më pas u shndërrua në betejë ligjore (nga sistemi I drejtësisë) dhe fushatë politike denigruese (nga ekzekutivi).
Së dyti, piramida e pagave rregullohet me ligj të veçantë (Kuvendi) dhe buxheti i institucioneve të drejtësisë miratohet në Kuvend jo në qeveri. Qeveria është zbatuese e vendimeve të Kuvendit, jo negaciatore e një funksioni klasik parlamentar.
Së treti, Kuvendi ka krijuar një komision të posaçëm që trajton problematikat e raportimeve vjetore dhe ecurinë edhe të reformës në drejtësi, punën e institucioneve dhe procesin mbikëqyrës parlamentar. Kuvendi ka gjithashtu një komision për ligjet dhe një tjetër për çështjet e buxhetit/financave. Nëse edhe këto funksione i merr dhe i negocion qeveria, atëherë për çfarë duhen komisionet dhe Kuvendi?
Së katërti, disa ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë ish zv/kryeministrja është në proces hetimi dhe gjykimi nga SPAK dhe GJKKO. Qeveria që refuzoi heqjen e imunitetit dhe denigroi gjykatën e prokurorinë tani e fton në dialog e mirëkuptim për çështje parash, një konflikt tjetër i dukshëm interesi dhe presion ndaj tyre.
Së pesti, disa nga drejtuesit e institucioneve të drejtësisë të ftuara në takim konsultimi janë në proces gjyqësor me qeverinë për të njëjtën çështje debati, madje kanë kërkuar penalizim të ministrit të financave, i cili është pjesë e kabinetit ekzekutiv. Konsultimi në këtë rast ftohet midis dy palëve në konflikt interesi, por edhe në konflikt gjyqësor.
Së fundi, por me rëndësi, – institucionet e drejtësisë janë të pavarura dhe koncepti i pavarësisë lidhet pikërisht me qeverinë dhe kryeministrin. Një sistem drejtësie që negocion parimet, standardet dhe të drejtat kushtetuese me qeverinë nuk mund të jetë i pavarur dhe në thelb nuk dallon nga agjencitë ligjzbatuese ekzekutive.
Natyrisht secili institucion i ftuar do të zgjedh vetë nëse do të marrë pjesë ose nëse do të rishprehë opinione me shkrim në rrugë institucionale, por është e mbetet e qartë se ftesa, objekti i debatit, negociata dhe akti politik i qeverisë vjen dukshëm në kontrast të thellë me konceptet e ndarjes dhe balancës së pushteteve dhe përbën një zhvillim negativ për integritetin dhe besimin publik te drejtësia. Një mesazh që pranuesit e mundshëm të ftesës duhet ta marrin në konsideratë edhe personalisht.
