**
Pas 74 vitesh, është zbuluar në fund të Oqeanit Atlantik rrënoja e avionit Clipper Endeavor, një Douglas DC-4 i kompanisë Pan American Airways (Pan Am), aksidenti tragjik i të cilit në vitin 1952 ndryshoi përgjithmonë standardet e sigurisë në aviacionin civil. Rrënoja u lokalizua në ujërat pranë brigjeve veriore të Porto Rikos, në një thellësi prej rreth 600 metrash. Avioni ndodhet i ndarë në dy pjesë, por trupi i tij është ruajtur në gjendje të jashtëzakonshme, ku ende dallohen logoja ikonike e Pan Am dhe emri Clipper Endeavor. Zbulimi u bë nga Air/Sea Heritage Foundation (ASHF), në bashkëpunim me kompaninë Deep Sea Vision dhe ekipin e emisionit Expedition Unknown të Discovery Channel, falë përdorimit të sonarëve me rezolucion të lartë dhe mjeteve autonome nënujore të teknologjisë së fundit.
Tragjedia që tronditi botën
Më 11 prill 1952, në të Premten e Madhe, fluturimi Pan Am 526A u nis nga San Juani i Porto Rikos drejt aeroportit Idlewild të Nju Jorkut (sot JFK), me 64 pasagjerë dhe 5 anëtarë të ekuipazhit.
Pak minuta pas ngritjes, një defekt i rëndë në disa motorë e detyroi pilotin të kryente një ulje emergjente në det. Përplasja shkëputi pjesën e bishtit të avionit, por kabina kryesore mbeti e paprekur dhe fillimisht të gjithë personat në bord i mbijetuan impaktit.
Megjithatë, drama e vërtetë nisi menjëherë pas uljes. Në atë kohë nuk ekzistonte demonstrimi i procedurave të sigurisë para fluturimit, pasagjerët nuk dinin si të vepronin në raste emergjente, ndërsa vështirësitë në komunikim mes ekuipazhit dhe udhëtarëve e përkeqësuan situatën.
Brenda më pak se tre minutash avioni u fundos në një det të trazuar. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të Gardës Bregdetare dhe Forcave Ajrore amerikane, vetëm 17 persona mbijetuan, ndërsa 52 humbën jetën. Në Porto Riko, kjo ngjarje njihet ende si “Tragjedia e së Premtes së Madhe”.
Aksidenti që ndryshoi rregullat e aviacionit
Hetimi i aksidentit solli një nga ndryshimet më të rëndësishme në historinë e aviacionit civil. Autoritetet amerikane vendosën si detyrim që para çdo fluturimi stjuardesat dhe stjuardët të zhvillojnë demonstrimin e procedurave të sigurisë, duke u shpjeguar pasagjerëve përdorimin e rripave të sigurimit, maskave të oksigjenit, jelekëve të shpëtimit dhe daljeve emergjente.
Këto udhëzime, që sot janë të zakonshme në çdo avion pasagjerësh në botë, lindën pikërisht si pasojë e kësaj tragjedie dhe konsiderohen se kanë shpëtuar mijëra jetë gjatë dekadave.
Misteri u zgjidh pas shtatë dekadash
Vendndodhja e avionit mbeti e panjohur për më shumë se shtatë dekada për shkak të thellësisë së madhe të oqeanit. Kërkimet rifilluan në vitin 2019, pasi studiuesit gjetën në arkivat kombëtare të Porto Rikos një hartë të vizatuar nga pilotët e Forcave Ajrore të SHBA-së, të cilët kishin marrë pjesë në operacionin e shpëtimit në vitin 1952.
Falë kësaj harte dhe përdorimit të mjeteve moderne nënujore, ekipi arriti të lokalizojë më në fund rrënojat e Clipper Endeavor.
Tashmë, Air/Sea Heritage Foundation po bashkëpunon me autoritetet e Porto Rikos për të mbrojtur zonën ku ndodhet avioni dhe për të ngritur një memorial në nder të 52 viktimave, ndërsa historia dhe pamjet e zbulimit do të transmetohen në një episod të ardhshëm të Expedition Unknown në Discovery Channel./FC
