Një general rus u vra në një atentat me bombë në jug të Moskës, njoftuan hetuesit rusë, të cilët shtuan se dyshojnë që shërbimet speciale ukrainase mund të kenë qenë pas sulmit.
Bomba shpërtheu nën një Kia Sorento të drejtuar nga Gjeneral Lejtenant Fanil Sarvarov, kreu i drejtorisë për trajnimin operacional të Ushtrisë Ruse, ndërsa ai po largohej nga një hapësirë parkimi në orën 06:55 sipas kohës së Moskës (03:55 GMT).
Komiteti Shtetëror i Hetimeve të Rusisë tha se Sarvarov vdiq si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi.
Hetuesit publikuan një video ku shfaqej makina e shkatërruar, me gjak të dukshëm në vendin e shoferit.
Komiteti tha se një nga versionet që po hetohen është se bomba u vendos nga shërbimet speciale ukrainase. Deri tani, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Ukraina lidhur me ngjarjen./mxh
