Policia gjermane ka nisur një hetim pasi Aeroporti i Lajpcigut/Halles pezulloi përkohësisht punën dhe devijoi fluturimet për shkak të vërejtjes së një mjeti të dyshimtë, i cili po fluturonte në zonë.
“Pak para mesnatës, një mjet i paidentifikuar fluturues u vërejt pranë Aeroportit Lajpcig/Halle, duke i detyruar disa aeroplanë, përfshirë një aeroplan me pasagjerë, të devijoheshin drejt aeroporteve të tjera”, tha Drejtoria e Policisë së Lajpcigut në një deklaratë të publikuar vonë më 4 gusht.
“Një objekt u zbulua gjithashtu në afërsi të pistës jugore dhe fillimisht u ekzaminua nga Policia Federale”, shtoi ajo.
Autoritetet thanë pista veriore e aeroportit rifilloi punën në orët e para të 5 gushtit, por pista jugore mbetet e mbyllur derisa policia vazhdon hetimet.
Autoritetet nuk dhanë hollësi të tjera.
Agjencia Reuters citoi një burim më 5 gusht të ketë thënë se një aeroplan mallrash i kompanisë DHL u përplas në ajër me një mjet të panjohur pak pasi ishte ngritur nga Aeroporti Lajpcig/Halle, duke u detyruar të kryente ulje të menjëhershme dhe të paplanifikuar në Hanover.
Disa media gjermane, përfshirë Bild, raportuan se një dron u gjet në afërsi të një aeroplani ukrainas të mallrave, An-124, në një nga pistat e aeroportit.
Nuk është e qartë nëse ai dron ishte i njëjti me atë të përmendur në raportin për incidentin me aeroplanin e DHL-së, apo bëhej fjalë për një dron tjetër./Mxh
