Të tjera detaje mësohen lidhur me tragjedinë e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Itali, ku katër anëtarë të një familjeje shqiptare humbën jetën, për shkak të një rrjedhjeje monoksidi karboni që dyshohet të ketë ardhur nga keqfunksionimi i sistemit të ngrohjes në shtëpinë e tyre në rrugën Galgani, në Porcari, në provincën e Lucca-s.
Corriere della Sera raporton se viktimat janë babai 48-vjeçar Arti Kola, nëna Jonida, 43 vjeç, djali i quajtur Hajdar, 22 vjeç si dhe vajza më e vogël Xhesika, vetëm 15 vjeç.
Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit, arriti të shpëtonte, por ndodhet në gjendje kritike. Edhe dy karabinierë, të cilët shkuan për të dhënë ndihmën e parë, pësuan helmim të lehtë, por nuk rrezikojnë jetën.
Tragjedia ndodhi rreth orëve të mbrëmjes së të mërkurës. Vëllai i kryefamiljarit lajmëroi karabinierët pasi nuk kishte arritur të kontaktonte me ta. Kur shkuan në banesën trekatëshe dhe trokitën pa marrë përgjigje, ata thyen derën dhe zbuluan katër trupat pa jetë. Xhaxhai humbi ndjenjat për shkak të monoksidit të karbonit dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Cisanellos.
