Elvana Gjata ka rrëfyer një anë më personale të jetës së saj në intervistën e fundit në The Dalina Show, ku foli për suksesin, sakrificat, dashurinë dhe planet për të ardhmen.
E pyetur për një rikthim të mundshëm në Festivali i Këngës, artistja zgjodhi të mos japë një përgjigje përfundimtare, duke lënë gjithçka të hapur.
“Kam marrë shumë mësime nga eksperiencat e mia dhe do t’i përdor në momentin e duhur. Nuk e di nëse do të rikthehem, dua t’i lë gjërat të vijnë natyrshëm”, u shpreh ajo.
Elvana foli edhe për çmimin që ka paguar për karrierën e saj të suksesshme, duke pranuar se mungesa pranë familjes dhe miqve është një nga gjërat që e lëndon më shumë.
“Një nga sakrificat më të mëdha është të mos jem aq prezente sa do të doja në jetën e njerëzve të mi më të dashur”, tha këngëtarja.
Artistja tregoi se momentet më të vështira të jetës ka zgjedhur t’i përballojë vetëm, pa kërkuar ndihmë profesionale.
“Momentet më të errëta i kam kaluar me veten time, pa alkool, pa ilaçe, vetëm me forcën që kam gjetur brenda vetes”, u shpreh ajo.
Sipas Elvanës, muzika ka qenë gjithmonë mënyra më e fortë për të shprehur emocionet dhe dhimbjen.
“Gjithmonë kam zgjedhur që mesazhet më të forta t’i jap përmes muzikës”, deklaroi artistja, duke shtuar se emocionet e forta janë kthyer në “karburant” për artin e saj.
Në intervistë, ajo foli edhe për paragjykimet që shpesh hasin gratë e suksesshme në shoqëri.
“Nuk pranohet lehtë që një femër të jetë e suksesshme dhe e zonja e vetes”, tha Elvana.
Duke ndarë mendimet e saj për dashurinë, këngëtarja theksoi se një marrëdhënie e shëndetshme të ndihmon të rritesh dhe të bëhesh version më i mirë i vetes.
“Dashuria nuk janë fjalët e bukura, por janë veprat”, u shpreh ajo.
Në fund, Elvana Gjata pranoi se dëshira për t’u bërë nënë është bërë gjithnjë e më e fortë kohët e fundit.
“Gjithmonë kam dashur të kem fëmijë dhe është një ëndërr shumë e madhe për mua”, përfundoi artistja./mxh
