Last Updated on 06/02/2026 by Monika
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin përfundimtar për një çështje penale që lidhet me korrupsionin në zgjedhje. SPAK kishte kërkuar gjykimin e Engjëll Carës, Limon Shalës, Fatmir Thaçit, Florant Saraçit dhe Shkëlqim Hoxhës.
Procesi u zhvillua me gjykim të shkurtuar. Trupa gjykuese e përbërë nga Atalanta Zeqiraj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka i shpalli fajtorë katër të pandehur për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Limon Shala, Fatmir Thaçi, Engjëll Cara dhe Florant Saraçi u dënuan fillimisht me nga 1 vit e 6 muaj burg secili. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 1 vit burg, ndërsa ekzekutimi i dënimit u pezullua, duke u vënë në provë për 2 vite, me detyrimin për të mos kryer vepra të tjera penale dhe për të mbajtur kontakte me Shërbimin e Provës.
I pandehuri i pestë, Shkëlqim Hoxha, u shpall fajtor për veprën penale “moskallëzimi i krimit”. Ai u dënua përfundimisht me 4 muaj burg, dënim që u pezullua dhe u zëvendësua me 60 orë punë në interes publik, që duhet të kryhen brenda 6 muajve, si dhe me detyrimin për t’u paraqitur pranë Shërbimit të Provës.
Gjykata vendosi gjithashtu kthimin e celularëve të sekuestruar për tre prej të pandehurve dhe ngarkimin e tyre solidar me shpenzimet proceduriale. Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar./mxh
