Një projekt-dekret për arsimin, që pritet të shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave në Itali, parashikon një sërë masash për nisjen e vitit shkollor 2026-2027, integrimin e nxënësve të huaj dhe zbatimin e masave të lidhura me Planin Kombëtar të Rimëkëmbjes (PNRR).
Sipas draftit, përveç rasteve kur ekzistojnë arsye specifike shëndetësore ose sigurie, ndalohet pjesëmarrja në aktivitetet kurrikulare dhe jashtëkurrikulare të institucioneve arsimore, si edhe në takimet mes shkollës dhe familjes, me fytyrën e mbuluar ose në çdo mënyrë tjetër që pengon identifikimin e personit.
Për shkeljen parashikohet një gjobë administrative nga 200 deri në 1 000 euro. Në rastet kur shkelja kryhet nga një i mitur, gjoba do t’i aplikohet prindit, sipas dispozitave të projektit.
Drafti parashikon gjithashtu një kufi prej 30% në klasat e para për kategori të caktuara nxënësish me shtetësi joitaliane.
Në arsimin fillor, numri i nxënësve me shtetësi joitaliane, të cilët nuk kanë lindur në Itali ose nuk kanë ndjekur të paktën dy vite të arsimit parashkollor, nuk duhet të kalojë 30% të numrit të përgjithshëm të nxënësve në secilën klasë të parë.
Në arsimin e mesëm të ulët dhe të lartë, kufiri i propozuar prej 30% lidhet me nxënësit me shtetësi joitaliane që nuk kanë përfunduar me sukses të paktën tre vite shkollore në sistemin kombëtar italian të arsimit.
Ministri italian i Arsimit dhe Meritës, Giuseppe Valditara, ka deklaruar se masa synon veçanërisht nxënësit që nuk kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës italiane dhe se qëllimi është të shmanget përqendrimi i madh i tyre në të njëjtën klasë apo shkollë.
Projekt-dekreti parashikon gjithashtu masa për forcimin e mësimit të gjuhës italiane dhe për integrimin e nxënësve me prejardhje migratore.
Teksti duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe më pas t’u nënshtrohet procedurave parlamentare dhe juridike përpara se masat të marrin formën përfundimtare./Mxh
