Aktorja, shkrimtarja dhe këngëtarja e njohur franceze Marina Vlady ka ndërruar jetë sot në moshën 88-vjeçare, bëri të ditur familja e saj.
Familja njoftoi se aktorja u nda nga jeta në shtëpinë e saj, e rrethuar nga njerëzit e afërt dhe kafshët e saj.
Fëmijët e saj e përshkruan jetën e saj si “të gjatë, të bukur dhe të mbushur plot”.
Marina Vlady ishte një nga figurat e njohura të kinemasë franceze dhe italiane.
Ajo e nisi karrierën në moshë shumë të re, në filmin “Avant le déluge” (1954), me regji të André Cayatte, rol për të cilin fitoi në moshën 16-vjeçare çmimin Suzanne Bianchetti, që u jepej aktoreve më premtuese.
Në vitin 1963, ajo fitoi çmimin e interpretimit në Festivalin e Kanës për filmin “Le Lit conjugal”.
Gjatë karrierës së saj, Marina Vlady luajti në më shumë se 80 filma dhe bashkëpunoi me regjisorë të rëndësishëm, ndër ta Jean-Luc Godard, Orson Welles, Bertrand Tavernier, Chris Marker dhe Ettore Scola.
Ajo u shfaq gjithashtu në komedi të njohura të viteve 1970, përfshirë “Tout le monde il est beau, tout le monde il est gentil” të Jean Yanne dhe “Que la fête commence” të Bertrand Tavernier.
Në vitin 1955, Marina Vlady u martua me regjisorin Robert Hossein, i cili e angazhoi në disa prej filmave të tij.
Çifti pati dy djem. Më vonë, ajo pati një djalë tjetër me aventurierin Jean-Claude Brouillet.
Në vitin 1969, ajo u martua me këngëtarin dhe poetin rus Vladimir Visocki (Vladimir Vissotsky).
Për të jetuar me të, Marina Vlady u zhvendos në Moskë, ku qëndroi deri në vdekjen e tij në vitin 1980.
Marrëdhënien e tyre ajo e përshkroi në librin “Vladimir ou le vol arrêté” botuar në vitin 1987, i cili më pas u përshtat edhe për shfaqje teatrale.
Në total, Vlady botoi rreth 10 libra, përfshirë kujtimet e saj “24 images/secondes” (2005)./mxh
