Sulmet e dronëve iranianë ndaj objekteve të CIA-s në Gjirin Persik, i kanë shtyrë analistët e inteligjencës amerikane të hetojnë nëse Rusia ka dhënë ndihmë duke ofruar informacione për shënjestrimin ose teknologji të avancuar dronësh, thanë katër persona të njohur me inteligjencën e SHBA-së.
Këta persona, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar çështje të sigurisë kombëtare, thanë se zyrtarët e inteligjencës amerikane nuk kanë dalë ende në përfundime të prera rreth përfshirjes së mundshme ruse në sulmet ndaj objekteve të CIA-s. Por ata përmendën efektivitetin dhe saktësinë e dukshme të sulmeve, si dhe mbështetjen më të gjerë teknike të Rusisë për Iranin, si dëshmi të mundshme.
Reuters dhe media të tjera kanë raportuar — dhe zyrtarët amerikanë kanë pranuar — se Rusia ka ofruar të dhëna shënjestrimi dhe mbështetje tjetër për Iranin në sulmet e tij ndaj objektivave të SHBA-së në rajonin e Gjirit në përgjithësi, por hetimi i komunitetit të inteligjencës mbi përfshirjen e mundshme ruse për mbështetjen e sulmeve në objektet e CIA-s nuk ishte bërë publik më parë.
RUSIA NDIHMOI NË SHËNJESTRIMIN E OBJEKTEVE: MEMO E INTELIGJENCËS
Një memo e brendshme nga një agjenci perëndimore e inteligjencës, e përshkruar nga një zyrtar i rajonit që kishte qasje në dokument, doli në përfundimin se Rusia ka të ngjarë të ketë luajtur një rol në shënjestrimin e objekteve rajonale të CIA-s. Zyrtari e diskutoi memon në kushtin që autorësia e saj e saktë të mos zbulohej.
Dy zyrtarë perëndimorë në Gji, të cilët ishin informuar mbi raportet e inteligjencës, thanë se analistët mendojnë që sulmi në Arabinë Saudite u krye nga një çift dronësh iranianë Shahed, të cilët ishin version i përmirësuar nga Rusia. Një nga mjetet fluturuese hapi një vrimë në një pjesë të cenueshme të pjesës së jashtme të ambasadës, dhe i dyti fluturoi përmes hapjes dhe shpërtheu, thanë ata. Nuk u raportuan të vdekur apo të lënduar.
Ndërsa ndihma ruse për Iranin është e kahershme, duke pasur parasysh lidhjet e ngushta mes dy vendeve, shënjestrimi specifik i objekteve të ndjeshme të CIA-s do të tregonte se Moska është e gatshme të shkojë më tej në goditjen e operacioneve amerikane, në një kohë kur Uashingtoni po përpiqet t’i japë fund luftës me Iranin.
Shqetësimet se Rusia mund të jetë duke i dhënë Iranit të dhëna për shënjestrim u intensifikuan këtë fundjavë pas sulmeve në një bazë ajrore amerikane në Jordani, ku Irani goditi kazermat e ushtrisë me raketa balistike, duke vrarë dy ushtarë.
Shtëpia e Bardhë e referoi një kërkesë për koment te CIA, e cila refuzoi të japë një të tillë.
Misioni i Iranit në OKB, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe qeveria saudite nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
OBJEKTE SEKRETE
Të dy zyrtarët perëndimorë në rajon thanë se Rusia e ka ndihmuar Iranin të përmirësojë aftësinë e dronëve të tij Shahed për të arritur objektivat, dhe thanë se analistët dyshonin që Irani kishte përdorur pikërisht këto versione në sulmin e tij në Riad.
Rusia, tha një burim i veçantë, e ka ndihmuar Teheranin të përmirësojë saktësinë e dronëve të tij Shahed-136 duke siguruar një sistem lundrimi satelitor — Kometa-M — për të cilin ekspertët thonë se është shumë më i saktë dhe më i vështirë për t’u bllokuar në krahasim me atë të prodhuar nga vetë Irani.
The Wall Street Journal raportoi fillimisht në mars se Rusia i ka ofruar sistemin Kometa-M Iranit. Kremlini e mohoi raportin, duke e quajtur atë “lajm të rremë” (fake news).
Objektet e CIA-s jashtë shtetit përfshijnë zyrat kryesore të agjencisë në shtete të caktuara, të cilat tradicionalisht strehohen brenda ambasadave dhe quhen stacione. Përveç kësaj, CIA mban zyra, shtëpi të sigurta (safe houses), qendra logjistike dhe objekte të përfshira në mbikëqyrje ose në operacione të tjera.
Vendndodhjet e atyre objekteve janë sekrete të ruajtura me shumë rreptësi.
Burimet refuzuan të tregojnë numrin e saktë apo vendndodhjet e objekteve të CIA-s të goditura nga dronët iranianë. Një burim e vendosi numrin në “më shumë se një dhe më pak se një duzinë”. Një burim i dytë tha se ishin goditur disa objekte.
TË DHËNA SHËNJESTRIMI NGA RUSIA?
Analistët e inteligjencës amerikane po hetojnë nëse Irani u mbështet te të dhënat ruse të shënjestrimit për sulmin në ambasadë, thanë burimet.
Megjithatë, dyshimet mbeten. Disa nga burimet paralajmëruan se Irani mund të ketë pasur si objektiv ambasadën amerikane në përgjithësi dhe e ka goditur stacionin e CIA-s krejt rastësisht.
Disa analistë kanë dalë në përfundimin se, përveç Rusisë, pak vende të tjera do të kishin mjetet për ta siguruar apo interesin për ta përdorur si armë një inteligjencë kaq të ndjeshme shënjestrimi kundër SHBA-së, sipas burimeve.
Daniel Hoffman, një ish-shef i stacionit të CIA-s dhe oficer i operacioneve të fshehta, tha se nuk do të ishte e habitshme nëse Moska do të ndihmonte Teheranin të shënjestronte objektet e CIA-s, duke pasur parasysh partneritetin e tyre të ngushtë strategjik.
“Ata ndajnë interesin e përbashkët për të reduktuar ose eliminuar plotësisht ndikimin e SHBA-së në sferat e ndikimit që ata i kanë përcaktuar vetë,” tha ai./ Reuters-ad
