Last Updated on 02/07/2026 by Kesjana
Nga Ylli Manjani
Ka ardhur momenti kur çështja nuk mund të zvarritet më. Pas dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, mesazhi juridik është bërë mjaftueshëm i qartë: Gjykata e Lartë duhet të shprehet dhe, mbi të gjitha, duhet të zbatojë standardin që vetë ka vendosur.
Nuk bëhet më fjalë për fatin personal të Erion Veliajt. Me të nuk më lidh asnjë interes politik, personal apo elektoral. Nuk e kam votuar dhe nuk kam asnjë arsye ta trajtoj këtë si një debat për një individ.
Kjo është një çështje parimore.
Është çështja nëse një i zgjedhur nga qytetarët mund të largohet nga ushtrimi i mandatit të tij vetëm mbi bazën e një mase sigurie, kur akuzat ndaj tij nuk lidhen drejtpërdrejt dhe substancialisht me ushtrimin e detyrës.
Në një shtet demokratik, mandati i dhënë nga qytetarët nuk pezullohet automatikisht nga fillimi i një procedimi penal. Hetimi është një gjë. Ushtrimi i mandatit është një tjetër. Midis tyre duhet të ekzistojë një raport proporcionaliteti, jo një automatizëm.
Nëse ekzistojnë arsye ligjore që një kryetar bashkie nuk mund të vazhdojë detyrën, atëherë ligji parashikon mënyrat për t’ia hequr atë detyrë. Por nëse ato kushte nuk ekzistojnë, ai duhet të ushtrojë mandatin për të cilin është votuar.
Ky është parimi.
Hetimet mund të vazhdojnë. Akuza mund të ngrihet. Gjykimi mund të zhvillohet. Të gjitha këto procese nuk varen domosdoshmërisht nga izolimi fizik i të zgjedhurit apo nga largimi i tij i detyruar nga funksioni publik.
Pikërisht këtë standard vendosi vetë Gjykata e Lartë në vendimin e saj të mëparshëm, atë që shumë juristë e konsideruan një leksion mbi parimin e proporcionalitetit. Ajo u kërkoi gjykatave më të ulëta të mos mjaftoheshin me ekzistencën formale të akuzës, por të vlerësonin konkretisht natyrën e saj, rrezikun real dhe lidhjen që ajo ka me funksionin publik të personit nën hetim.
Dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në thelb, i rikthejnë Gjykatës së Lartë të njëjtin mesazh: zbato standardin që ke shpallur vetë.
Një gjykatë e lartë nuk mund të krijojë jurisprudencë dhe pastaj të sillet sikur ajo nuk ekziston. Autoriteti i saj ndërtohet pikërisht mbi qëndrueshmërinë e vendimeve të veta. Përndryshe, jurisprudenca shndërrohet në një ushtrim teorik, pa asnjë vlerë praktike.
Prandaj, Gjykata e Lartë nuk mund ta shtyjë më këtë çështje. Ajo duhet të marrë një vendim të qartë: a është proporcional mbajtja në arrest e një kryetari bashkie gjatë hetimit dhe gjykimit, kur akuzat nuk lidhen drejtpërdrejt me ushtrimin e detyrës së tij?
Përgjigjja duhet të jetë juridike, jo politike.
Sepse kjo nuk ka të bëjë me atë nëse Erion Veliaj e meriton apo jo politikisht të jetë kryetar bashkie. Këtë e kanë vendosur votuesit e Tiranës.
Në një shtet të së drejtës, një mandat i marrë nga vota nuk mbaron me një akt-akuzë, por me përfundimin e mandatit ose me një vendim gjyqësor të formës së prerë, në rastet kur ligji e kërkon.
Ky nuk është privilegj i një politikani.
Ky është një parim kushtetues që mbron votën e qytetarëve dhe vetë demokracinë përfaqësuese. Nëse sot lejojmë që ai të relativizohet për një person që nuk na pëlqen, nesër nuk do të kemi më asnjë garanci se nuk do të relativizohet për këdo tjetër./kb
