Last Updated on 30/10/2026 by EL
Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka vendosur “pezullimin e ndërprerjes së shërbimit” dhe bën me dije se ditën e hënë të gjithë avokatët do të dalin në punë. Kryetari Maks Haxhia, ka sqaruar se në vazhdim, beteja me Gjykatën e Posaçme do të ndiqet në rrugë ligjore.
Më herët, edhe Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur që avokatët duhet të ndërpresin bojkotin dhe të rikthehen në punë, në shërbim të klientëve që kanë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe në Apel.
Maks Haxhia, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, deklaroi sot se Këshilli Kombëtar i Avokatisë ka vendosur pezullimin e bojkotit, pas marrjes në dispozicion të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit.
“Duhet ta godasim në rrugë gjyqësore. Sot na u vu në dispozicion vendimi i Gjykatës së Apelit. Në këto kushte, ky organ vendimmarrës i bën prezente të gjithë situatën dhe të kaluarën, të gjitha përpjekjet tona në zgjidhjen e këtij konflikti.
Dhoma e Avokatisë ka qenë që në ditët e para. Kemi qenë dhe jemi që çdo gjë të zgjidhet në përputhje me ligjin. U përdor autoriteti i karriges dhe nuk është fare normale që një vend kaq i vogël të ndiqet me autoritetin e karriges, që është mënyra më e keqe për të transmetuar një komunikim”, u shpreh ai.
Maks Haxhiu zbuloi për vendimin për ndërprerjen e bojkotit dhe gjobat ndaj avokatëve që nuk kanë shkuar në seancë që nga data 8 Shtator, duke theksuar se vlera ka arritur në 250 milionë lekë.
“Duke qenë përpara këtij realiteti, Këshilli Kombëtar i Avokatisë vendosi: Pezullimin e ndërprerjes, për shkak të vijimit të çështjes së këtij vendimi, të ndërpritet bojkoti, duke iu komunikuar kolegëve për këtë vendim. Do të bëjmë padi pasi GJKKO ka vendosur 250 milionë lekë gjoba pas bojkotit që nga 8 shtatori deri më sot”, ka treguar avokati Maks Haxhia./ET
