Last Updated on 07/09/2026 by EL
Gjykata Kombëtare e Spanjës ka urdhëruar nisjen e një hetimi penal për hyrjen masive të dhjetëra mijëra emigrantëve në Ceuta gjatë muajit korrik.
Vendimi u mor nga gjyqtarja hetuese María Tardón, e cila vlerësoi se ekzistojnë dyshime se “sjellje kriminale të kryera jashtë vendit kanë cenuar rëndë integritetin territorial të Spanjës”, duke përdorur hyrjen masive të emigrantëve si mjet për këtë qëllim.
Gjykata tha se ka juridiksion për të hetuar akuza që lidhen me cenimin e integritetit territorial, vrasjen nga pakujdesia dhe pjesëmarrjen në organizatë kriminale, në përputhje me kriteret e Prokurorisë.
Sipas gjyqtares, fluksi i emigrantëve përbën një nga format karakteristike të “luftës hibride” ose “zonës gri”, me synimin për të ndikuar në jetën dhe të drejtat e qytetarëve spanjollë në Ceuta.
Në themel të vendimit qëndron një raport i policisë spanjolle, i cili akuzon forcat e sigurisë marokene për “lejueshmëri totale” ndaj kalimit të emigrantëve. Sipas raportit, autoritetet marokene nuk bënë përpjekje serioze për të ndaluar fluksin dhe, në disa raste, pjesëtarë të forcave të sigurisë u dhanë emigrantëve udhëzime për mënyrën e kalimit.
Tardón tha se nga Maroku kishte ardhur një “lehtësim i qartë dhe i padiskutueshëm i procesit”, duke iu referuar sjelljes së forcave të sigurisë, e cila sipas saj është dokumentuar edhe me pamje filmike.
Qeveria spanjolle ka deklaruar se nuk ka prova përfundimtare se Rabati ishte përgjegjës për hyrjen masive të emigrantëve në fund të korrikut. Më shumë se 70 mijë persona kaluan nga Maroku drejt Ceutës, enklavës spanjolle në Afrikën e Veriut.
Autoritetet marokene nuk kanë komentuar raportin e policisë spanjolle. Mediat marokene, ndërkohë, e kanë cilësuar atë si një dokument të “dështuar”, duke pretenduar se nuk përmban prova të mjaftueshme.
Shumica e emigrantëve që hynë në Ceuta janë kthyer në Marok, ndërsa mijëra të tjerë kanë mbetur në enklavë, në një situatë që ka shkaktuar tensione të mëtejshme politike.
