Last Updated on 20/11/2026 by Anisa
Dardan Krasniqi ka ndarë një mesazh prekës për ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin, i cili ndodhet në Kosovë me leje të posaçme për katër ditë. Në një mesazh të dërguar për emisionin “Now” , nipi i tij e ka përshkruar Jakup Krasniqin si një njeri të sakrificës, besës dhe humanizmit, duke shprehur dhimbjen për situatën në të cilën ai ndodhet.
Dardan Krasniqi kujton kohën e kaluar pranë xhaxhait të tij dhe bisedat e shumta që kanë zhvilluar, ndërsa thekson se ajo që po përjeton sot ish-kreu i Kuvendit është veçanërisht e vështirë për familjen.
Ai thotë se Jakup Krasniqi, tashmë në një moshë të thyer dhe i rënduar nga vitet, po përjeton edhe momentet më të vështira familjare nën mbikëqyrje të rreptë policore.
Në mesazhin e tij, Dardan Krasniqi shprehet:
“Njeriu siç e ka lindjen, e ka edhe vdekjen. Një njeri me minimum edukim, e ka të qartë këtë dhe e pranon, sado dhimbje të shkaktojë.
Megjithatë, situata me bacën Jakup, historia e jetës së tij që mishëron vuajtjet, sakrificën e besën edhe ajo më njerëzorja e një kombi të vuajtur dhe në kërkim të lirisë, e bëjnë situatën shumë më ndryshe dhe të japin një emocion të veçantë dhe jo lehtë të përballueshëm.
Personalisht kam pas fatin të jem afër tij shumë gjatë, e ku kemi zhvilluar biseda e kemi trajtuar tema nga më të ndryshmet!
E them qartë dhe me zë se nuk njoh njeri më human e me qasje më njerëzore ndaj të tjerëve dhe ta shohësh sot, në këtë moshë, të lodhur nga padrejtësia e vitet mbi supe, që edhe momentet më të rënda familjare t’i përjetojë nën përcjellje të rreptë policore, mendjes së shëndoshë dhe arsyes njerëzore, i vjen të pëlcasë”, thotë ai.
Leja e dhënë për Jakup Krasniqin parashikon një qëndrim katërditor në Kosovë. Gjatë kësaj kohe, ai mund të kalojë orët e ditës pranë familjes, ndërsa në përfundim të tyre duhet të rikthehet në ambientet e EULEX-it, ku qëndron nën mbikëqyrje./ad
