Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, nuk do të mbajë më pajisjen elektronike të monitorimit, pas një vendimi të Gjykatës së Parisit që ka pranuar kërkesën për lehtësim të masës së dënimit.
Vendimi lidhet me çështjen e njohur “Bygmalion”, që ka të bëjë me financimin e dyshuar të paligjshëm të fushatës së tij presidenciale të vitit 2012.
Sipas gjykatës, masa e dënimit është përshtatur për shkak të moshës dhe gjendjes personale të ish-presidentit, i cili ka mbushur 71 vjeç.
Sarkozy ishte dënuar me një vit burg, nga të cilat gjashtë muaj me ekzekutim, për tejkalim të shpenzimeve të fushatës zgjedhore. Në kuadër të kësaj mase, ai kishte vendosur “byzylyk elektronik” si formë monitorimi.
Tani, gjykata ka vendosur që ai të lirohet nga kjo detyrim, duke kaluar në një regjim më të lehtësuar të ekzekutimit të dënimit.
Çështja “Bygmalion” lidhet me dyshimet për manipulim dhe tejkalim të kufijve ligjorë të shpenzimeve gjatë garës presidenciale të vitit 2012, ku Sarkozy humbi zgjedhjet.
Ish-presidenti francez vazhdon të jetë nën hetim edhe për çështje të tjera gjyqësore, përfshirë dyshimet për financim të fushatës së vitit 2007 nga Libia./mxh
