Last Updated on 09/05/2026 by Anisa
E veja e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha, u arrestua në dhjetor të vitit 1991 me akuzën për shpërdorim fondesh shtetërore.
Gjyqi i shkallës së parë, në janar 1993, e dënoi të venë e diktatorit me 11 vite burg, ndërsa Apeli e uli dënimin në 9 vite burg. Ajo u lirua nga burgu në vitin 1997.
Procesi mbahet mend si “Gjyqi i kafes”, sepse në thelb, ndonëse Nexhmije Hoxha ishte një nga njerëzit më të rëndësishëm të regjimit komunist dhe bashkëpunëtorja më e afërt e diktatorit në një sistem që la pas mijëra viktima, pushkatime, burgosje dhe internime politike, ajo u dënua për shpërdorime fondesh që lidheshin me shpenzimet për kafe, dreka e darka të shtruara në vilën e diktatorit.
Ironia e këtij procesi qëndron pikërisht te fakti se një nga figurat më të fuqishme të diktaturës u përball me drejtësinë jo për krimet e regjimit, por për faturat e luksit të jetës së bllokut komunist.
Tema sjell pjesë nga raporti i KLSH-së në vitin 1991, material mbi të cilin u mbështet prokuroria për të dënuar Nexhmije Hoxhën, si dhe tri pjesë të shkurtra nga dëshmia e saj para gjykatës./A.D
