Ministri i Drejtësisë Toni Gogu mori pjesë në përurimin e ambienteve të rikonstruktuara në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku janë investuar 4 salla gjykimi, 2 holle dhe 16 zyra gjyqtarësh.
Në fjalën e tij, Gogu e vendosi këtë investim në kuadër të reformës në drejtësi dhe procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian për Kapitullin 23, duke theksuar rëndësinë e funksionimit praktik të institucioneve të drejtësisë.
“Europa nuk mat vetëm ekzistencën formale të institucioneve. Mat mënyrën si funksionojnë çdo ditë: efikasitetin e proceseve, standardin e administrimit gjyqësor, sigurinë juridike dhe besimin që qytetarët kanë tek drejtësia”, u shpreh Ministri i Drejtësisë.
Duke folur edhe si ish-Kancelar i Gjykatës së Tiranës dhe ish-lektor i Administrimit të Gjykatave, Gogu theksoi se infrastruktura gjyqësore është pjesë thelbësore e cilësisë së drejtësisë dhe jo thjesht një element teknik.
“Salla e gjyqit nuk është vetëm vendi ku lexohet një vendim. Është ambienti ku shteti duhet të garantojë paanshmëri, siguri, dinjitet procedural dhe autoritetin e ligjit”, deklaroi ai.
Ministri solli në vëmendje edhe zhvillimet e mëhershme në sistemin gjyqësor, duke kujtuar se në vitin 2003 në Gjykatën e Tiranës u ndërtuan sallat e para moderne të gjykimit dhe nisi automatizimi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore.
Në fjalën e tij, Gogu u ndal edhe te debati mbi masat e sigurisë në sallat e gjykimit, përfshirë përdorimin e strukturave të mbyllura për të pandehurit, duke theksuar nevojën për ekuilibër midis sigurisë dhe standardeve europiane të të drejtave të njeriut.
“Gjykatat që trajtojnë krimin e organizuar kanë nevoja reale sigurie. Por çdo masë sigurie duhet të jetë proporcionale, funksionale dhe në përputhje me standardet europiane”, u shpreh ai.
Sipas tij, reforma në drejtësi ndodhet në fazën e konsolidimit të institucioneve, ndërsa sfidat kryesore mbeten rritja e efikasitetit, profesionalizmit dhe besueshmërisë së sistemit gjyqësor në sytë e publikut dhe në kuadër të procesit të integrimit europian.
