Last Updated on 03/11/2026 by EL
Katër shtetas shqiptarë janë dënuar me burg në Angli, pasi janë shpallur fajtorë për përfshirjen në një seri vjedhjesh në banesa në Londër. Sipas hetimeve, autorët kishin shënjestruar kryesisht familje të komunitetit të Azisë Jugore, duke vjedhur bizhuteri, sende me vlerë dhe objekte luksi.
Mes sendeve të grabitura ishin një orë Rolex me vlerë rreth 7 mijë paund, bizhuteri floriri dhe një unazë antike.
Dy prej të dënuarve janë Çlirim Ferizi, 26 vjeç, dhe Oresti Saliaj, 40 vjeç. Ferizi është dënuar me dy vite burg, ndërsa Saliaj me tre vite e gjashtë muaj heqje lirie. Hetuesit arritën të zbardhnin aktivitetin e tyre kriminal përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, gjurmëve forenzike dhe analizimit të dhënave të udhëtimeve me transportin publik.
Një rol të rëndësishëm në hetim luajti edhe analiza e kartave Oyster, të cilat përdoren për udhëtimet në transportin publik në Londër. Përmes të dhënave dixhitale, policia arriti të rindërtonte lëvizjet e të dyshuarve dhe t’i lidhte ato me zonat ku ishin kryer vjedhjet. Ndërkohë, kamerat e sigurisë kishin regjistruar lëvizjet e tyre para dhe pas hyrjes në banesat e grabitura.
Në kuadër të hetimeve për raste të tjera të ngjashme, janë dënuar edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë, Hetaj Dionis, 35 vjeç, dhe Arben Cuka, 31 vjeç. Ata u përfshinë në vjedhje banesash në zonën e Hayes dhe u dënuan me një total prej pesë vitesh burgim./et
