Last Updated on 03/11/2026 by Monika
Papa Leone XIV është në gjendje të mirë shëndetësore dhe i gatshëm të niset këtë javë për një vizitë intensive në tre vende të Amerikës së Jugut, më pak se një muaj pas operacionit për kancer në mushkëri. Për udhëtimin nuk po merren masa të shtuara mjekësore, thotë Vatikani.
Papa 71-vjeçar do të niset të premten për një vizitë 12-ditore në Uruguai, Argjentinë dhe Peru, e cila pritet të jetë një nga udhëtimet më intensive të ndërmarra nga një Papë në dekadat e fundit. Më 13 tetor, ai iu nënshtrua një operacioni për heqjen e lobit të poshtëm të mushkërisë së djathtë.
“Papa është në gjendje të mirë shëndetësore”, deklaroi zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, gjatë një konference për shtyp. “Nuk po flasim për një gjendje të përhershme. Po flasim për diçka nga e cila shërohesh, pasi bëhet fjalë për një ndërhyrje kirurgjikale.”
Papa Leone u trajtua për adenokarcinomën e mushkërisë, formën më të përhapur të kancerit të mushkërive. Mjekët e tij kanë deklaruar se ekzaminimet e indeve të hequra gjatë operacionit konfirmuan se sëmundja ishte e lokalizuar dhe se ai nuk do të ketë nevojë për trajtime të tjera.
Personeli mjekësor i Vatikanit, i cili zakonisht shoqëron Papën gjatë udhëtimeve, do të jetë i pranishëm edhe këtë herë. Edhe autoambulancat që zakonisht janë pjesë e eskortës së Papës gjatë vizitave jashtë vendit do të jenë të pranishme, ashtu si në udhëtimet e mëparshme, tha Brui.
“Gjithmonë ka mjekë, gjithmonë ka infermierë dhe gjithmonë ekzistojnë disa kushte bazë. Nuk do të hyj në më shumë detaje, sepse situata nuk e kërkon këtë”, u shpreh Bruni.
Maria Montserrat Alvarado, drejtuesja e re e strukturës së gjerë të komunikimit të Vatikanit, deklaroi gjatë konferencës se qëndrueshmëria fizike e Papës është “fantastike”.
“Unë nuk do të kisha asnjë shqetësim. Mjekët e tij janë shumë të sigurt”, tha ajo.
Gjatë vizitës së tij nga 6 deri më 17 nëntor, Papa Leo pritet të përshkojë rreth 31 mijë kilometra në 10 qytete dhe të mbajë 36 fjalime.
Në Peru, Papa do të ndalet në qytetin e Cusco-s, i vendosur në malet e Andeve, në një lartësi prej 3,399 metrash mbi nivelin e detit. Në këtë lartësi, udhëtarët mund të përjetojnë sëmundjen e lartësisë ose të kenë nevojë për më shumë oksigjen.
Ekspertë mjekësorë i thanë Reuters se vendimi i mjekëve të Papës për ta lejuar atë të udhëtojë me avion tregon se rreziku i komplikacioneve pas operacionit është i ulët, se mushkëria e operuar është zgjeruar plotësisht dhe se plagët kirurgjikale po shërohen pa shenja infeksioni./mxh
