Një grabitje ka ndodhur në zemër të Parisit, në Muzeun e Luvrit, ku autorë ende të paidentifikuar vodhën stoli me vlerë të pallogaritshme nga koleksioni i Napoleonit III dhe perandoreshës Eugenia, brenda vetëm shtatë minutash.
Pas ngjarjes, muzeu u mbyll për vizitorët, ndërsa autoritetet po zhvillojnë hetime intensive për identifikimin dhe arrestimin e grabitësve.
Sipas gazetës Le Parisien, grabitja u krye nga katër persona. Dy prej tyre, të maskuar si punëtorë ndërtimi me jelekë të verdhë reflektues, ndodheshin në një kamion me vinç, ndërsa dy të tjerë prisnin me skuterë për arratisje.
Me ndihmën e vinçit, arritën të ngjiteshin direkt në katin e parë të ndërtesës, nga ana e lumit Sena, aty ku po kryheshin punime restaurimi.
Ata hynë në Sallën e famshme të Apollonit, ku ruhen stolitë më të çmuara dhe reliket perandorake. Me një makinë prerëse (turri), thyen dy vitrina, njëra me “bizhuteritë e Napoleonit” dhe tjetra me “bizhuteritë e sundimtarëve francezë” dhe grabitën përmbajtjen e tyre.
Pas grabitjes, autorët zbritën sërish me ndihmën e vinçit dhe u larguan me dy motorë sportivë Yamaha Tmax.
Policia gjeti në vendngjarje dy makina prerëse, karburant, doreza, një jelek pune, një batanije dhe një stoli të rrallë që kishte rënë gjatë arratisjes: kurora e perandoreshës Eugenia, e dëmtuar pjesërisht, sipas agjencisë AFP.
Kurora përbëhet nga 1.354 diamante dhe 56 smeralde, dhe është një nga pjesët më të rëndësishme të trashëgimisë perandorake, siç përshkruhet në faqen zyrtare të Muzeut të Luvrit. m.p.
