Temperaturat rekord të kësaj vere nuk po ndikojnë njësoj te të gjithë. Sipas një analize të publikuar nga BBC, që citon eksperten e shëndetit global Dr. Cat Pinho-Gomes nga University College London (UCL), gratë mund të jenë më të ndjeshme ndaj valëve të të nxehtit për shkak të veçorive biologjike dhe ndryshimeve hormonale që ndikojnë në mënyrën si organizmi rregullon temperaturën e trupit.
Ekspertët shpjegojnë se organizmi i grave nuk ftohet me të njëjtin ritëm si ai i burrave. Ato, në përgjithësi, fillojnë të djersijnë më vonë dhe prodhojnë më pak djersë, duke e bërë më të vështirë shpërndarjen e nxehtësisë së tepërt. Kjo mund të rrisë rrezikun për lodhje, marramendje, dehidrim dhe probleme të tjera të lidhura me temperaturat e larta.
Ndikim kanë edhe hormonet. Gjatë ciklit menstrual, shtatzënisë, paramenopauzës dhe menopauzës, mekanizmat që kontrollojnë temperaturën e trupit ndryshojnë, duke bërë që shumë gra ta përjetojnë vapën më intensivisht. Në ditët e nxehta mund të shtohen simptomat si pagjumësia, ankthi, dhimbjet menstruale, afshet e nxehta dhe djersitja gjatë natës.
Veçanërisht të rrezikuara konsiderohen gratë shtatzëna. Gjatë kësaj periudhe organizmi prodhon më shumë nxehtësi, zemra punon më fort dhe nevoja për hidratim rritet ndjeshëm. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ekspozimi ndaj vapës ekstreme mund të përkeqësojë sëmundjet ekzistuese, të shkaktojë stres termik dhe të rrisë rrezikun e komplikacioneve gjatë shtatzënisë.
Ndërkohë, ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive. Një studim i publikuar në revistën Nature Climate Change tregon se ekspozimi i popullsisë ndaj stresit termik është rritur ndjeshëm në dekadat e fundit, duke e kthyer nxehtësinë ekstreme në një nga kërcënimet më serioze për shëndetin publik./ad
