Autoritetet greke kanë hequr ndalimin për transportin jashtë ishullit të Lesbosit të produkteve të qumështit të prodhuara në zonë nga individët që vizitojnë ishullin, përfshirë turistët dhe banorët vendas.
Ndalimi ishte vendosur prej muajsh pas shpërthimit të sëmundjes së gojës dhe thundrës në tufat blegtorale të Lesbosit, duke kufizuar edhe mundësinë që vizitorët të merrnin me vete produktet tradicionale të ishullit.
Sipas vendimit të ri të Drejtorisë së Përgjithshme Veterinare të Ministrisë Greke të Zhvillimit Rural dhe Ushqimit, produktet e qumështit që janë stazhionuar për më shumë se dy muaj konsiderohen tashmë të sigurta dhe mund të transportohen jashtë ishullit nga individët, si me traget, ashtu edhe me avion.
Në këtë kategori përfshihen disa nga djathrat më të njohur të Lesbosit, si:
• feta
• ladotyri
• kasseri
• graviera
• kefalotyri
Vendimi do të thotë se turistët që vizitojnë Lesbosin mund të blejnë sërish djathra vendas të stazhionuar dhe t’i marrin me vete kur largohen nga ishulli, qoftë me anije apo me avion.
Heqja e kufizimit pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në ekonominë lokale, pasi rikthen një pjesë të rëndësishme të shitjeve me pakicë të prodhuesve dhe baxhove. Kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë sezonit turistik veror, kur mijëra vizitorë blejnë produkte tradicionale të Lesbosit për t’i marrë me vete në shtëpi.
Guvernatori i Egjeut të Veriut, Kostas Moutzouris, kishte kërkuar vazhdimisht heqjen e kësaj mase në bisedimet me zëvendësministrin e Zhvillimit Rural, Athanasios Kavvadas, pas një kërkese të Shoqatës së Prodhuesve të Djathit të Lesbosit.
Moutzouris e ka përshëndetur vendimin, duke e cilësuar si një hap që e afron blegtorinë e ishullit drejt normalitetit, ndërsa theksoi nevojën që Lesbosi të çlirohet përfundimisht nga sëmundja e gojës dhe thundrës te kafshët në tufat blegtorale të ishullit.
