Last Updated on 02/10/2026 by EL
Një organizatë kriminale që dyshohet se mashtronte investitorët përmes një skeme me kriptomonedha është shkatërruar në Greqi. Sipas informacioneve të raportuara nga ERT, deri më tani janë arrestuar 17 persona, mes tyre edhe nëntë pjesëtarë të Forcave të Armatosura.
Në mesin e të arrestuarve ndodhen edhe dy nënoficerë, të cilët dyshohet se kishin role drejtuese në organizatë.
Sipas burimeve policore, grupi kriminal u premtonte investitorëve fitime nga kriptomonedhat përmes një platforme që kontrollohej nga vetë organizata. Rreth 10 mijë persona dyshohet se kishin investuar para në këtë platformë, ndërsa përfitimi i organizatës vlerësohet në rreth 8 milionë dollarë.
Aktiviteti kriminal dyshohet se kishte nisur të paktën një vit përpara ndërhyrjes së autoriteteve. Për operimin e rrjetit, organizata kishte ngritur zyra në Katerini, Selanik, Larisa, Patra dhe në një ishull të Dodekanezit.
Sipas hetimeve paraprake, grupi funksiononte përmes një skeme piramidale. Anëtarët që sillnin investitorë të rinj shpërbleheshin me bonuse nga drejtuesit e organizatës. Fillimisht, investitorëve u krijohej përshtypja se po realizonin fitime, ndërsa më pas ata nuk arrinin të tërhiqnin kapitalin e investuar.
Në dosjen e çështjes përfshihen edhe nëntë shtetas të tjerë grekë, mes tyre një tjetër pjesëtar i Forcave të Armatosura, të cilët dyshohet se ishin pjesë e rrjetit.
Gjatë kontrolleve në banesat dhe zyrat e të dyshuarve, autoritetet sekuestruan rreth 300 mijë euro, pajisje elektronike, mjete për ruajtjen e të dhënave dhe dokumente.
Hetimet vijojnë, ndërsa priten detajet dhe njoftimi zyrtar nga Policia Greke./et
