Greqia është renditur si destinacioni i preferuar në botë për muajin e mjaltit luksoz për vitin 2027, duke lënë pas Balin, Maldivet, Italinë dhe Polinezinë Franceze. Vendi fqinj ka marrë kryesimin nga Italia, e cila mbante vendin e parë një vit më parë.
Sipas Greek Reporter, renditja bazohet në raportin vjetor Luxe Report të rrjetit ndërkombëtar të udhëtimeve luksoze Virtuoso, i cili mbështetet në vlerësimet e më shumë se 3,100 këshilltarëve të udhëtimit në mbarë botën.
Raporti analizon preferencat e klientëve dhe tendencat e reja të turizmit luksoz. Megjithatë, rezultatet pasqyrojnë vlerësimet e profesionistëve të industrisë dhe jo numrin real të udhëtimeve të realizuara.
Në renditjen për vitin 2026, Greqia mbante vendin e dytë, pas Italisë, ndërsa Bali renditej i treti, i ndjekur nga Maldivet dhe Polinezia Franceze.
Udhëtimet për raste të veçanta nxisin turizmin luksoz
Sipas raportit, festimi i ngjarjeve të rëndësishme personale mbetet një nga arsyet kryesore të udhëtimeve luksoze. Përvjetorët, ditëlindjet dhe muajt e mjaltit po nxisin kërkesën për përvoja ekskluzive, privatësi dhe shërbime të personalizuara.
Turistët me të ardhura të larta po preferojnë gjithnjë e më shumë jahte private, struktura akomoduese të izoluara, transferta individuale, gastronomi të personalizuar dhe akses ekskluziv te guidat turistike apo specialistët e mirëqenies.
Këto tendenca përforcojnë pozicionin e Greqisë në segmentin e turizmit luksoz, veçanërisht falë ishujve dhe ofertës së saj për pushime romantike.
Greqia e katërta në renditjen e përgjithshme
Megjithëse kryeson për muajin e mjaltit, Greqia renditet e katërta në listën e destinacioneve të preferuara për turizmin luksoz për vitin 2027.
Japonia kryeson renditjen e përgjithshme, e ndjekur nga Italia dhe Franca, ndërsa Spanja mbyll pesëshen e parë.
Krahasuar me vitin 2026, Greqia ka humbur një pozicion, pasi më parë renditej e treta, pas Italisë dhe Japonisë.
Ishujt grekë ruajnë gjithashtu vendin e tretë ndër destinacionet më të preferuara për udhëtimet me anije turistike, pas Mesdheut dhe Alaskës. Ndërkohë, Athina renditet e gjashta ndër qytetet e preferuara për vitin 2027, pas Tokios, Kiotos, Barcelonës, Parisit dhe Romës.
Pritet rritje e kërkesës dhe shpenzimeve
Perspektiva për turizmin luksoz mbetet pozitive. Rreth 53% e këshilltarëve të udhëtimit presin një rritje të lehtë të kërkesës gjatë vitit 2027, ndërsa 22% parashikojnë rritje të ndjeshme.
Paralelisht, 59% e tyre presin rritje të moderuar të shpenzimeve për çdo udhëtim, ndërsa 13% parashikojnë rritje të konsiderueshme.
Këto pritshmëri tregojnë se turistët e segmentit luksoz po orientohen drejt përvojave më të personalizuara dhe janë të gatshëm të shpenzojnë më shumë për privatësi, komoditet dhe shërbime ekskluzive./ad
