Last Updated on 12/10/2026 by EL
Bashkëpunimi politik dhe strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë ishte në fokus të Forumit të Bashkëpunimit Strategjik të Ballkanit, ku morën pjesë përfaqësues të të dy vendeve.
Pala greke u përfaqësua nga zëvendësministri i Brendshëm, Konstantinos Gkioulekas, ndërsa nga qeveria shqiptare i pranishëm ishte kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi dhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo.
Në fjalën e tij, Peleshi tha se dy qeveritë po forcojnë marrëdhëniet mes tyre, teksa u shpreh se Greqia është reshtuar përherë krah Shqipërisë.
Për ministrin, Ervin Demon lidhja e Shqipërisë dhe Greqisë është historike, me tradita të përbashkëta që forcon dhe më tej zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit.
Ndërsa zëvendës ministri i brendshëm grek, Konstantinos Gjulekas në fjalën e tij rikonfirmoi mbështetjen e Greqisë për Shqipërinë në BE, ndërsa shtoi se ky forum do të shërbejë për të çuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.
Zëvendës ministri grek u ndal tek përplasjet e mëparshme mes dy vendeve, ku tha se ngjarjet e së kaluarës i përkasin historisë, ndërsa e ardhmja ofron mundësi për ndërtimin e marrëdhënieve edhe më të shëndetshme dhe të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Greqisë./et
