30 nëntor 1916 – Shën Peterburg
Nga Leonard Veizi
Në historinë njerëzore ka plot figura që edhe pse lindin në periferi, shfaqen si hije dhe bëhen të gjithëpushtetshëm duke lëvizur perandori të tëra. Janë njerëz që ecin midis miteve dhe realitetit, duke trazuar qetësinë e epokës ku jetojnë. Disa prej tyre vijnë si shenjtorë, disa si profetë, disa si shkatërrimtarë dhe rrallëherë, si një përzierje e të trejave…
…Në dimrin e acartë të Rusisë perandorake kjo hije mbante një emër: Grigori Jefimoviç Rasputin. Ai ishte fytyra e errësirës që u ngjit në shkallët e pushtetit pa kërkuar leje, dhe nata e fundit e tij do të bëhej preludi i një epoke që po shuhej.
Profili i kontradiktës në oborrin perandorak
Rasputin nuk ishte thjesht një këshilltar, ishte një enigmë – një fshatar siberian që, përmes karizmës së tij, arriti të bëhej sundimtari i vërtetë në oborrin e Romanovëve. Për t’u kuptuar ndikimi i tij fatal, duhet të shohim “vetitë” e Rasputin-it, të ndara midis miteve dhe asaj që njerëzit e kohës i atribuan.
I lindur në fshatin Pokrovskoje të Siberisë, Rasputin e nisi jetën si një pelegrin mistik. Në fillim të viteve 1900, ai udhëtonte duke predikuar dhe duke fituar reputacion si një udhërrëfyes shpirtëror, ndonëse jo zyrtarisht murg. Kur arriti në kryeqytetin Perandorak, Shën Peterburg, u fut lehtësisht në shoqërinë e lartë, e cila ishte e fiksuar pas mistikës dhe spiritualizmit. Ai u prezantua në oborrin perandorak nga Princeshat Militza dhe Anastasia të Malit të Zi, të cilat e paraqitën si një njeri të shenjtë, të dërguar nga Zoti.
Karizma dhe shëruesi i trashëgimtarit
Ajo që e bënte Rasputin-in të papërballueshëm ishte prania e tij magnetike. Njerëzit flisnin për një shikim të fortë, depërtues, që ushtronte një lloj “hipnoze” mbi të gjithë, duke ndikuar lehtësisht te gratë, që nga aristokracia deri te shërbëtoret. Kjo karizëm, e bashkuar me predikimet e tij mistike, i dha atij aurën e një profeti dhe manipuluesi të njëkohshëm.
Megjithatë, arsyeja kryesore pse Rasputin fitoi një ndikim kaq të madh ishte lidhja e tij me Carinën Aleksandra dhe djalin e saj, Careviç Aleksei, trashëgimtarin e fronit, i cili vuante nga hemofilia. Çifti mbretëror kishte kërkuar dëshpërimisht ndihmë. Kur Rasputin u soll për të parë Aleksein, ai shpesh arrinte, në mënyrë të çuditshme, të qetësonte dhimbjet e djalit dhe të ndalonte gjakderdhjet.
Shpjegimi
Teoritë moderne sugjerojnë se ky “shërim” vinte nga sugjestioni psikologjik dhe fakti që Rasputin i largonte mjekët nga përdorimi i trajtimeve të dëmshme si aspirina, e cila përkeqëson hemofilinë.
Pavarësisht mekanizmit, rezultati ishte i njëjtë: pranë tij Aleksei përmirësohej. Për Carinën Aleksandra, kjo ishte një mrekulli dhe dëshmi se Rasputin ishte shpëtimtari i djalit të saj. Car Nikolla II, ndonëse shpesh skeptik, kurrë nuk mundi ta largonte atë përfundimisht nga oborri, pasi Carina besonte se largimi i tij do të thoshte rrezikim i jetës së Alekseit.
Ndikimi politik dhe skandali
Me këtë besim si mburojë, Rasputin e theu barrierën mes mistikës dhe politikës. Ky fshatar i palexuar filloi të ndikonte në vendimet e Carit dhe sidomos në emërimet e ministrave gjatë Luftës së Parë Botërore. Ky ndikim i thellë krijoi imazhin se ai ishte “praktikisht sunduesi i Rusisë” në vend të Carit.
Njëkohësisht, Rasputin njihej për një jetë të shthurur me orgji dhe konsum të tepërt alkooli. Ky reputacion skandaloz u bë simbol i degjenerimit dhe korrupsionit brenda vetë institucionit të Carizmit. Për aristokracinë e zemëruar dhe popullin e varfër, ai ishte fytyra e shkatërrimit.
Nata e errët e 1916-s
Nëntori i ftohtë i vitit 1916, – pikërisht në datën 30 të tij, – e kishte mbështjellë Shën Peterburgun me errësirë, duke u bërë sfondi i natës kur u shkrua një nga kapitujt më dramatikë të historisë ruse. Rasputin, tashmë figura më me ndikim, ishte njëkohësisht edhe më i urryeri. Për shumë nga fisnikëria ruse, ai ishte përbindëshi që po gërryente themelet e Perandorisë.
Ndaj një natë, një grup i lartë oficerësh dhe aristokratësh, të udhëhequr nga Princi Feliks Jusupov, vendosën t’i japin fund ndikimit të tij shkatërrues. Rasputin u ftua në pallatin e Jusupov-it dhe iu servir verë e ëmbëlsira të mbushura me cianid. Por, siç e tregon legjenda, helmi nuk e preku. I tmerruar, Jusupov u kthye me një pistoletë dhe e qëlloi. Edhe i goditur, mistiku tentoi të largohej. U deshën edhe disa plumba të tjerë nga komplotistët për ta rrëzuar përgjithmonë. Pastaj, e lidhën dhe e hodhën në lumin Neva të mbushur me akull.
Rënia e Romanovëve
Tre ditë më vonë, trupi i ngrirë i Rasputinit u gjet. Komplotistët kishin besuar se vdekja e tij do të shpëtonte perandorinë; por realiteti doli krejt ndryshe. Reputacioni i tmerrshëm i Rasputinit, së bashku me vdekjen e tij të dhunshme, thelloi dyshimet publike. A ishte Car Nikolla II kaq i dobët sa të linte një njeri të tillë të sundonte në hije?
Në vend që të sillte stabilitet, largimi i Rasputinit e nxori në pah boshllëkun e pushtetit dhe çorientimin e Carizmit. Vetëm pak javë më vonë, revolucioni shpërtheu. Dinastia Romanov u përmbys, dhe Car Nikolla II ra bashkë me perandorinë e tij.
Vrasja e Rasputinit nuk ishte fundi, por një fillim i dhunshëm – hapi i fundit drejt greminës. Si trupi i tij i fundosur në Neva, edhe Carizmi u zhyt në errësirë, duke lënë pas një perandori të thyer dhe një histori që ende i trazon mendjet e njerëzve.
