Nga Leonard Veizi
Deri pak vite më parë, Groenlanda shihej si një periferi e largët e hartës globale, një masiv i ngrirë, me pak banorë dhe pa peshë reale politike. Sot, ky perceptim është shembur. Groenlanda është kthyer në një nga pikat më të nxehta të gjeopolitikës së shekullit XXI – jo sepse u rrit papritur në popullsi apo fuqi, por sepse vendet e zhvilluara kanë filluar ta shohëin si pronë strategjike.
Me rreth 56 mijë banorë, shumica popullsi autoktone inuite, Groenlanda mbetet një nga territoret më pak të populluara në planet. Gjuha zyrtare, groenlandishtja (Kalaallisut), nuk është thjesht mjet komunikimi, por një deklaratë identiteti dhe rezistence kulturore.
Administrimi i Groenlandës ka kaluar disa faza historike dhe sot përfaqëson një model të veçantë autonomie brenda Mbretërisë së Danimarkës. Groenlanda u kolonizua zyrtarisht nga Danimarka në shekullin në vitin 1721XVIII. Për më shumë se dy shekuj u administrua si koloni, me kontroll të drejtpërdrejtë nga Kopenhaga. Inuitët kishin shumë pak të drejta politike dhe vendimmarrja bëhej jashtë ishullit. Në vitin 1953, Groenlanda pushoi së qeni koloni dhe u shpall pjesë integrale e Mbretërisë së Danimarkës. Banorët e saj morën shtetësi daneze.
Megjithatë, ndërsa banorët e saj flasin për autonomi dhe pavarësi, fuqitë e mëdha flasin një gjuhë tjetër: atë të bazave ushtarake, korridoreve detare dhe mineraleve strategjike. Debati global për Groenlandën po zhvillohet, paradoksalisht, pa Groenlandën në tryezë.
Pozicioni gjeografik i ishullit është shndërruar në mall strategjik. I vendosur mes Amerikës së Veriut dhe Evropës, në pragun e Arktikut, Groenlanda është sot nyje kyçe për kontrollin ajror dhe detar të hemisferës veriore. Prania amerikane në bazën hapësinore të Pituffik nuk është më çështje mbrojtjeje, por sinjal force. Kur flitet për Groenlandën si “element i sigurisë kombëtare”, ajo që nënkuptohet është e qartë: territori shihet si instrument, jo si subjekt politik.
Ndërkohë, shkrirja e akullnajave po shndërrohet në një ftesë të hapur për rivalitet. Rrugët e reja detare në Arktik përshkruhen si “mundësi historike”, por rrallë thuhet se ato janë produkt i një katastrofe klimatike. Fuqitë që sot garojnë për kontrollin e këtyre korridoreve janë po ato që për dekada kanë injoruar ose relativizuar ngrohjen globale. Groenlanda po paguan çmimin e cinizmit të tyre.
Nën akull fshihet edhe arsyeja e vërtetë e etjes globale: tokat e rralla. Pa to nuk ka tranzicion energjetik, nuk ka teknologji të avancuar, nuk ka epërsi ushtarake. SHBA-ja, Kina dhe Bashkimi Evropian flasin për “partneritete” dhe “investime”, por realiteti është më brutal: Groenlanda është kthyer në një gur shahu në lojën e re të fuqive të mëdha. Për banorët vendas, këto pasuri janë një dilemë ekzistenciale: pavarësi ekonomike apo shkatërrim mjedisor? Zgjedhje e lirë, apo zgjedhje e imponuar nga presioni global?
Ideja e sotme e presidentit Donald Trump për të blerë Groenlandën, në fakt, nuk është aq e pabesueshme sa është paraqitur. Nuk ishte hera e parë që një president amerikan shfaqte një ambicie të tillë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Harry Truman i ofroi Danimarkës blerjen e Groenlandës për 100 milionë dollarë, por qeveria daneze e refuzoi propozimin.
Në këtë debat, Groenlanda është edhe pasqyra më e qartë e krizës klimatike. Akulli i saj që shkrihet matet në metra kub, por pasojat maten në qytete të përmbytura, ekonomi të tronditura dhe miliona jetë të rrezikuara. Nga Nju Jorku në Shangai, pasojat e asaj që ndodh në Groenlandë janë universale. Megjithatë, diskutimi ndërkombëtar vazhdon të sillet rreth fitimeve strategjike, jo rreth përgjegjësisë morale.
Tanimë banorët lokalë kanë shprehur shqetësim për retorikën amerikane. “Nuk jemi në shitje. Groenlanda i përket popullit të saj,” janë shprehur ata.
Në këtë mënyrë Groenlanda nuk është territor për ankand gjeopolitik. Ajo nuk është as bazë ushtarake, as minierë rezervë për tranzicionin e gjelbër të vendeve të pasura. Fuqitë e mëdha po flasin për stabilitet global, ndërsa injorojnë një popull të vogël që kërkon të drejtën për të vendosur mbi tokën dhe të ardhmen e vet.
Sfida e vërtetë nuk është kush do të dominojë Arktikun, por nëse bota është ende e aftë të vendosë kufij moralë ndaj etjes për pushtet. Groenlanda është sot testi i kësaj ndërgjegjeje globale. Nëse edhe ky ishull i akullit trajtohet si plaçkë strategjike, atëherë debati për klimën, të drejtat dhe rendin ndërkombëtar mbetet thjesht retorikë e zbrazët.
