Nuk është vetëm triumfalizmi në Shtëpinë e Bardhë. Udhëheqësit që hezitojnë ta kundërshtojnë këtë gangsterizëm duhet të mendojnë se si duket kjo në sytë e Putinit, Xi-t dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Nesrine Malik*
Nuk e kisha menduar kurrë se do të vinte një ditë kur mund të kthehesha pas te lufta në Irak, dhe te pushtimet e huaja të asaj që u quajt “lufta kundër terrorit”, dhe të ndjeja një lloj nostalgjie. Nostalgji për një kohë kur të paktën kishte përpjekje të organizuara për të justifikuar ndërhyrjet e njëanshme dhe luftërat e paligjshme në emër të sigurisë globale, madje edhe një “detyrim moral” për të çliruar gratë e Afganistanit ose për të “liruar popullin irakian”.
Sot, teksa presidenti venezuelian Nicolás Maduro, në thelb, rrëmbehet dhe Venezuela merret nën kontroll nga SHBA-ja, nuk ka pothuajse asnjë përpjekje për ta vendosur këtë grusht shteti brenda ndonjë arsyetimi tjetër përveç interesit amerikan. Nuk ka asnjë tentativë për të kërkuar miratim nga institucionet ligjvënëse vendase apo ndërkombëtare, nga aleatët, e aq më pak nga publiku. Ditët kur SHBA përpiqej të bindte botën se Saddam Husseini kishte armë të shkatërrimit në masë, edhe pse fshehurazi nuk kishte asnjë informacion të besueshëm, duken tani si “ditët e mira të vjetra”.
“Maduro luajti dhe e gjeti belanë”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth. “Amerika mund ta projektojë vullnetin e saj kudo, në çdo kohë.” SHBA-ja tani “do ta drejtojë Venezuelën”, tha presidenti Donald Trump. “Ne do të kemi një prani në Venezuelë për sa i përket naftës.” Nuk ka pothuajse asnjë përpjekje që arsyetimet për këtë marrje kontrolli të jenë koherente. Pretendohet se Maduro është fajtor për “narko-terrorizëm” dhe akuza të tjera, përfshirë “komplot për zotërimin e mitralozëve [sic]dhe pajisjeve shkatërruese kundër Shteteve të Bashkuara” – akuza që jo vetëm nuk e kalojnë pragun e nevojshëm për pushtim dhe rrëmbim, por që, me sa duket, as nuk merren seriozisht nga vetë Trumpi. Të tjerë të akuzuar për vepra penale të lidhura me drogën janë falur. Mes tyre janë ish-presidenti i Hondurasit Juan Orlando Hernández, si dhe Ross Ulbricht dhe Larry Hoover, të dy të liruar nga dënime të përjetshme për akuza që përfshinin edhe trafik droge.
Presidenti Donald Trump ndjek operacionet ushtarake amerikane në Venezuelë, së bashku me drejtorin e CIA-s John Ratcliffe, në Mar-a-Lago, Florida, 3 janar 2026.
Thelbi, siç tregohet nga postimet triumfaliste në rrjetet sociale – me montazhe të shoqëruara nga hip-hop dhe Trumpin si një lloj “shefi gangster” – qëndron pikërisht në refuzimin e idesë se veprimet amerikane i nënshtrohen procesit të rregullt ligjor. Grushti i shtetit në Venezuelë nuk është shfaqje e krahut të gjatë të ligjit, por dëshmi se SHBA-ja është vetë ligji dhe nuk i nënshtrohet asnjë autoriteti më të lartë; e aftë të ushtrojë fuqinë dhe vdekshmërinë e saj të jashtëzakonshme në mes të natës, të vrasë dhjetëra të pafajshëm dhe të mos përballet me asnjë pasojë, madje as me qortim.
Dhe reagimi deri tani e ka vërtetuar këtë. Këto skena, veprime dhe deklarata të jashtëzakonshme po kalojnë tashmë në territorin e normales përmes deklaratave të vakëta dhe të kujdesshme, me të cilat jemi mësuar. Disa politikanë dhe krerë shtetesh kanë dhënë deklarata të dobëta dhe kontradiktore, tipike për momentet kur diplomacia e tyre përplaset me realitetin se aleatët e tyre kanë humbur çdo masë. Keir Starmer thotë se situata është “në zhvillim të shpejtë” dhe se do të “përcaktojë të gjitha faktet”, ndërkohë që faktet tashmë po e shoqërojnë Maduron me pranga drejt një parade të turpshme në Brooklyn. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, thotë se po e ndjek “shumë nga afër situatën në Venezuelë… çdo zgjidhje duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së”. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, na siguron se po e “monitoron nga afër situatën”, njësoj si qeveria australiane dhe të tjerë.
Ajo që do t’ju përsëritet gjithnjë e më shpesh, sapo të mos ketë më “fakte për t’u sqaruar” apo “situata për t’u monitoruar”, është se Maduro ishte një njeri shumë i keq. Edhe kur rëndësia e së drejtës ndërkombëtare të shpallet, kjo do të bëhet paralelisht me dënimin e Maduro-s. Sekretarja britanike e Jashtme, Yvette Cooper, gjithmonë e para në këto raste, e udhëheq këtë model ideal. Pika e parë, ajo shkroi në Twitter të shtunën: “Mbretëria e Bashkuar e ka refuzuar vazhdimisht legjitimitetin e Nicolás Maduro-s dhe ka bërë thirrje për një tranzicion paqësor të pushtetit në Venezuelë.” Së dyti, shtoi ajo: “Siç e ka bërë të qartë kryeministri, ne mbështesim të drejtën ndërkombëtare. Fokusi ynë kolektiv tani duhet të jetë arritja e një tranzicioni pa gjakderdhje drejt një qeverie demokratike.” Vini re se nuk ka asnjë pranim se e drejta ndërkombëtare është shkelur tashmë, dhe nga kush – vetëm se ajo “mbështetet”, por duket se jo në asnjë mënyrë që mund të zbatohet realisht.
Përfundimi është se po e nisim vitin me zarat tashmë të hedhur. Ngjarja në Venezuelë do të shkatërrojë çdo grimcë që kishte mbetur nga pretendimi se ekziston ndonjë vullnet për të mbrojtur normat që mbështesin sigurinë globale – idenë se do të ketë pasoja, materiale ose shoqërore, që të dekurajojnë grabitjet territoriale, aneksimet apo ndryshimet e regjimeve. Bota është tashmë e pjekur për një moment të tillë. Lindja e Mesme është një vatër e nxehtë, që po shndërrohet në një garë mes shteteve të Gjirit në rritje, dhe po destabilizohet më tej nga një SHBA dhe Izrael pa frena. Këtë e shohim në Palestinë, Siri dhe Liban. Edhe pse tani është vetëm një shënim i vogël në hartën e lajmeve, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – dy aleatë të fuqishëm, dikur të afërt, me axhenda rajonale gjithnjë e më ambicioze – po përballen për Jemenin dhe për palët që secili mbështet atje. Përshkallëzimi i retorikës dhe veprimeve ushtarake – Arabia Saudite goditi një ngarkesë mjetesh luftarake të Emirateve të drejtuara për në Jemen dhe e akuzoi vendin për rrezikim të sigurisë kombëtare – hap një front të paprecedentë në Gjirin Persik.
Ky kaos është mundësuar tashmë nga roli i ri, i diskutueshëm dhe imperial i Emirateve në rajon dhe përtej tij, përfshirë luftën mizore në Sudan; dhe ky vend i bashkohet klubit të shteteve që nuk përballen me asnjë pasojë. Në anën tjetër të Gjirit, protestat në Iran kanë hyrë në javën e dytë dhe tashmë kanë tërhequr vëmendjen e Trumpit, i cili ka kërcënuar me goditje të tjera, duke e nxjerrë perspektivën e një ndryshimi regjimi të udhëhequr nga SHBA-ja nga sfera e së pamundurës. Ashtu si edhe kërcënimi i Trumpit për aneksimin e Groenlandës.
Skenarë të tjerë të pamendueshëm bëhen të mundshëm. Kina po zhvillon stërvitje ushtarake rreth Tajvanit. Vladimir Putinit nuk i duhet shumë nxitje, por doktrina trumpiane e sundimit imperial dhe e së drejtës diskrecionale për të nisur fushata ushtarake pasqyron tani atë të Putinit dhe u jep edhe më shumë legjitimitet veprimeve ruse në Ukrainë. Pas Venezuelës, do të ishte çmenduri, nëse do të ishe një regjim me një farë fuqie financiare e ushtarake dhe ambicie rajonale, të mos i testoje të paktën ujërat.
Reagimi i vakët nga ata që ende ndjejnë nevojën të ripërsërisin mbështetjen për të drejtën ndërkombëtare nuk bën gjë tjetër veçse kontribuon në këtë gjendje grabitqare të inkurajuar. Situata në Venezuelë nuk mund të “përmbahet” me një tranzicion paqësor (gjë që është e pamundur, nëse historia e afërt ka ndonjë vlerë). Ashtu siç nuk mundi të përmbahej Gaza. Mund të argumentohet se është e mençur të mos e zemërosh Trumpin – as edhe me një deklaratë që thotë të vërtetën për veprimet e tij – dhe të pyesësh se çfarë mund të bënte gjithsesi një vend si Mbretëria e Bashkuar. Por rezistenca ndaj shkeljes së rregullave dhe këmbëngulja për respektimin e tyre, edhe kur duket e kotë, është mënyra se si normat vendosen dhe më pas ruhen. Të rrish ulur dhe të shpresosh se edhe kjo do të kalojë është frikacakëri, mohim dhe analfabetizëm historik.
Pasojat do të ndihen gjithnjë e më shumë, dhe jo vetëm nga të pafatët në vende të largëta. Gardhet, si reale ashtu edhe simbolike, që mbanin një rend – të brishtë dhe me të meta, por gjithsesi rend – po çmontohen. Heshtja nuk është siguri. Është, për të përdorur gjuhën e ditës dhe për të cituar Hegseth-in entuziast, “të luash kot” dhe “ta gjesh shumë shpejt”.
*Nesrine Malik është kolumniste e Guardian-it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
