Last Updated on 18/03/2026 by Monika
Një zhvillim i rëndësishëm pritet në kampin e Manchester City, ku e ardhmja e trajnerit Pep Guardiola është vënë në qendër të vëmendjes.
Sipas raportimeve të mediave britanike, drejtuesit e klubit do të zhvillojnë së shpejti një takim vendimtar me teknikun katalanas, ku tema kryesore do të jetë vazhdimësia e tij në pankinën e “qytetarëve”. Megjithatë, ky takim pritet të mbahet vetëm pasi Guardiola të marrë disa ditë pushim, për të reflektuar mbi të ardhmen dhe opsionet e tij.
Guardiola njihet për cikle jo shumë të gjata në skuadrat që ka drejtuar më parë. Ai qëndroi katër sezone te FC Barcelona dhe tre te Bayern Munich, ndërsa te Manchester City ka arritur tashmë në vitin e tij të dhjetë radhazi – një rekord personal në karrierë.
Edhe pse kontrata e tij aktuale është e vlefshme deri në qershor të vitit 2027, e ardhmja nuk duket plotësisht e sigurt. Marrëveshja u rinovua në nëntor të vitit 2024, pak muaj përpara përfundimit të kontratës së mëparshme, por tani ekzistojnë dyshime nëse tekniku spanjoll do ta respektojë deri në fund këtë angazhim.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se pikërisht ky detaj – një vit i mbetur kontratë përtej sezonit aktual – do të jetë një nga çështjet kryesore në diskutimet mes Guardiolës dhe drejtuesve të Manchester City.
Nëse trajneri vendos të largohet në fund të këtij sezoni, atëherë klubi anglez do të përballet me një nga vendimet më të rëndësishme të viteve të fundit, duke qenë se Guardiola ka qenë arkitekti kryesor i suksesit të skuadrës në dekadën e fundit.
Pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për të ardhmen e një prej trajnerëve më të suksesshëm në historinë e futbollit modern./mxh
