Last Updated on 15/07/2026 by Kesjana
Kryeministri Rama ka ndarë një videokartolinë me momente nga e gjithë vizita në Bruksel për Konferencën IX Ndërqeveritare që shënoi mbylljen e 3 kapitujve të negociatave me BE.
Në fillim të videos, ai ka zgjedhur një bisedë me ministrat, ku fillimisht pyet kryenegociatoren Majlinda Dhuka nëse është e realizueshme mbyllja e më shumë se 3 kapitujve.
Edi Rama: Mund të bëhen më shumë se 3?
Majlinda Dhuka: Preferojmë të bëjmë të shpeshta nga 3 sepse dhe diskutimi me vendet anëtare është më i frytshëm.
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha e vendos kryeministrin në dijeni se kjo është hera e parë në 2 dekada që realizohen 4 tryeza ndërqeveritare në të njëjtën ditë.
Ferit Hoxha: Ky është takimi i fundit i llojit, që prej dy dekadash është hera e parë që bëhen 4 në një ditë.
Majlinda Dhuka: Që nga viti 2002.
Më pas, videoja kalon në një moment ku kryeministri nuk i ka kursyer batutat teksa bashkë me delegacionin shkojnë drejt sallës ku do të mbahet Konferenca.
Edi Rama: Hajde, photo, important (e rëndësishme), important stuff, photo (gjëra të rëndësishme, foto).
Videoja vijon me takimin e tij me komisioneren e Zgjerimit, Marta Kos dhe Thomas Byrne, episode nga Konferenca dhe më pas dalja përpara gazetarëve e mediave./kb
