Qindra klientë europianë të bankës digjitale Revolut kanë pasur të dhënat personale të ekspozuara pasi hakerë u paraqitën në mënyrë të rreme si përfaqësues të një agjencie qeveritare.
Kompania konfirmoi të mërkurën se kishte zbuluar një “mashtrim të sofistikuar përmes imitimit të një institucioni të jashtëm”, ku një palë e paautorizuar përdori një adresë emaili që i përkiste domenit të një agjencie qeveritare legjitime për të dërguar kërkesa mashtruese për informacionet e klientëve.
Sipas Financial Times, sulmi u krye nga hakerë italianë, të cilët përdorën një llogari emaili të komprometuar të qeverisë italiane për t’u paraqitur si zyrtarë dhe për të kërkuar të dhëna të klientëve të Revolut.
Informacionet e siguruara nga hakerët përfshinin adresa, fotografi verifikimi, dokumente identifikimi, si dhe të dhëna mbi aktivitetin me bitcoin. Një burim i njohur me çështjen tha se rreth 680 klientë të Revolut në disa vende europiane janë prekur nga incidenti.
Revolut është kompani britanike, ndërsa aktiviteti i saj bankar në Europë është i regjistruar dhe i licencuar ligjërisht në Lituani. Kompania ka më shumë se 50 milionë klientë në Europë.
Revolut deklaroi se sistemet e saj dhe fondet e klientëve nuk janë prekur nga sulmi dhe se personat e prekur janë kontaktuar për t’u informuar dhe për t’u ofruar mbështetje.
“Pas zbulimit të incidentit, bllokuam menjëherë adresën dhe njoftuam agjencinë përkatëse qeveritare, autoritetet ligjzbatuese, rregullatorët e mbrojtjes së të dhënave dhe autoritetet financiare”, deklaroi Revolut.
Autoriteti britanik për mbrojtjen e të dhënave, Information Commissioner’s Office (ICO), konfirmoi se kishte marrë një raport për incidentin dhe se po vlerësonte informacionet e paraqitura.
Revolut zgjerohet në tregun bankar global
Incidenti vjen në një periudhë kur Revolut po zgjeron me shpejtësi aktivitetin e saj në sektorin bankar ndërkombëtar.
Kompania, e themeluar në vitin 2015 si një start-up fintech, u vlerësua në 115 miliardë dollarë në një shitje dytësore aksionesh në korrik.
Në mars siguroi licencën bankare në Mbretërinë e Bashkuar, duke hequr disa kufizime për konkurrimin e saj me bankat tradicionale. Në gusht mori gjithashtu licencë të plotë bankare në Francë.
Vetëm këtë muaj, Revolut mori miratim paraprak me kushte për një licencë bankare në SHBA, ndërsa të martën paraqiti kërkesë për licencë bankare edhe në Zvicër.
Revolut e ndërtoi fillimisht biznesin e saj mbi këmbimin e valutave dhe transfertat e parave përmes telefonit, përpara se të zgjerohej në një gamë më të gjerë shërbimesh financiare.
Sot kompania ka më shumë se 80 milionë klientë në mbarë botën dhe synon të arrijë në 100 milionë klientë në 100 vende.
