Ndërsa Gaza vazhdon të përballet me shkatërrime të mëdha, Hamas ka njoftuar shpërbërjen e strukturave të tij qeverisëse, duke hapur rrugën që administrimi i territorit t’i kalojë një komiteti teknik.
Zyra e medias e Hamasit bëri të ditur se është shpërndarë “Komiteti i Emergjencës i Qeverisë” dhe kompetencat e tij i janë transferuar Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG). Ky komitet është krijuar me mandat të OKB-së, ka selinë në Kajro dhe mbikëqyret nga Bordi i Paqes, i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump gjatë negociatave që çuan në armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit.
Megjithatë, Izraeli e hodhi poshtë menjëherë këtë njoftim, duke e cilësuar si një manovër të Hamasit për të shmangur çarmatimin, i cili është një nga kushtet kryesore të armëpushimit. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se synon që Izraeli të marrë nën kontroll rreth 70% të Rripit të Gazës.
Sipas ekspertit francez Jean-Paul Chagnollaud, njoftimi i Hamasit nuk do të thotë se pushteti është transferuar realisht. Ai e cilëson këtë si një deklaratë politike që lidhet me negociatat e vazhdueshme, ku Egjipti ka një rol kyç.
Eksperti shpjegon se, edhe nëse Hamas largohet nga administrimi i Gazës, zyrtarët lokalë do të mbeten të njëjtët, ndërsa komiteti i ri nuk mund të ushtrojë detyrat e tij për sa kohë Izraeli nuk lejon hyrjen e tij në territor.
Ai thekson gjithashtu se Izraeli duhet të bëjë lëshimet e veta, duke nisur me tërheqjen graduale të ushtrisë nga zonat që sipas marrëveshjes duhet të jenë nën administrim palestinez.
Sa i përket krahut ushtarak të Hamasit, Chagnollaud beson se grupi nuk do të dorëzojë plotësisht armët.
Megjithatë, Hamas ka sinjalizuar se mund t’ia kalojë armët një autoriteti palestinez, nën mbikëqyrjen e komitetit të ri, edhe pse detajet e kësaj ideje nuk janë bërë publike.
Sipas tij, vendimi i Hamasit nuk është rezultat i presionit amerikan, por pjesë e një strategjie të mbështetur nga Egjipti për të zhbllokuar procesin e paqes dhe për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza, ku kushtet e jetesës janë përkeqësuar ndjeshëm.
Eksperti shton se, ndërkohë që Izraeli kontrollon ende pjesën më të madhe të Gazës dhe vazhdon operacionet ushtarake, komiteti i ri do ta ketë shumë të vështirë të ushtrojë autoritet real.
Ai vlerëson gjithashtu se Autoriteti Palestinez, i udhëhequr nga Mahmoud Abbas, është lënë jashtë këtij procesi, pasi Izraeli nuk dëshiron përfshirjen e tij. Sipas tij, plani aktual i paqes fokusohet vetëm te Gaza dhe nuk trajton çështjen më të gjerë të krijimit të një shteti palestinez që do të përfshinte edhe Bregun Perëndimor./mxh
