Last Updated on 31/07/2025 by adminfjala
Kaos dhe përplasje fizike në Parlamentin e Ukrainës të enjten, teksa dy deputetë u përleshën me grushte para votimit të një ligji vendimtar për rikthimin e pavarësisë së institucioneve kryesore antikorrupsion.
Incidenti ndodhi gjatë seancës për miratimin e një projektligji të ri që garanton pavarësinë e Byrosë Kombëtare Antikorrupsion dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit, pas protestave masive që shpërthyen në vend. Ligji kaloi me 331 vota pro dhe asnjë kundër.
Përplasja fizike mes deputetëve ndodhi në një atmosferë të tensionuar dhe u transmetua drejtpërdrejt, në atë që ishte seanca e parë parlamentare publike që nga fillimi i luftës me Rusinë. Arsyeja e konfliktit nuk u bë e ditur.
Votimi erdhi pasi Presidenti Volodymyr Zelensky u detyrua të tërhiqej nga një ligj kontrovers, të cilin e kishte nënshkruar në heshtje një javë më parë dhe që vendoste institucionet antikorrupsion nën kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ky vendim shkaktoi reagime të ashpra nga BE-ja, SHBA dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. m.p.