Harry Kane ka vazhduar kontratën me Bayern Munichun deri në vitin 2029, ndërsa marrëveshja e re e ka bërë atë futbollistin më të paguar në klubin bavarez.
Sipas gazetarit të “Sky Sport”, Florian Plettenberg, sulmuesi anglez 33-vjeçar do të përfitojë më shumë se 30 milionë euro bruto në vit, duke përfshirë edhe bonuset e mundshme.
Me këtë marrëveshje, Kane e ka kaluar në listën e pagave edhe Jamal Musialan, i cili deri më tani ishte futbollisti më i paguar i Bayernit.
Madje, sipas Plettenberg, kontrata e re e anglezit renditet në mesin e tri marrëveshjeve më fitimprurëse në futbollin evropian.
Përveç pagës bazë, Kane do të ketë mundësi të përfitojë bonuse të konsiderueshme në varësi të suksesit individual dhe ekipor.
Ai mund të shpërblehet financiarisht për fitimin e trofeve vendorë, triumfin në Ligën e Kampionëve dhe fitimin e mundshëm të Topit të Artë.
Gjithashtu, në llogaritjen e bonuseve do të përfshihen edhe statistikat personale, veçanërisht numri i golave dhe asistimeve.
Ndërkohë, janë zbuluar edhe dy detaje të tjera të rëndësishme të kontratës së re: ajo nuk përmban klauzolë lirimi dhe as mundësi për vazhdim të mëtejshëm përtej vitit 2029.
Kështu, Bayern Munich ka siguruar vazhdimësinë me njërin prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës, duke e shpërblyer me një kontratë që e vendos në majën e hierarkisë financiare të klubit./ET

