Artisti britanik Harry Styles ka hyrë në librin e rekordeve Guinness World Records, pasi vendosi një rekord të ri për serinë më të gjatë të koncerteve të njëpasnjëshme në stadiumin legjendar Wembley të Londrës.
Këngëtari dhe ish-anëtari i grupit One Direction përfundoi të shtunën mbrëma serinë prej 12 koncertesh të gjitha të shitura, në kuadër të turneut të tij “Together, Together”, i cili nisi më 12 qershor.
Emocioni i Styles ishte i dukshëm në skenë gjatë koncertit të fundit, ndërsa festonte një arritje historike në një nga arenat më të famshme muzikore në botë.
Rekordi i mëparshëm për numrin më të madh të koncerteve radhazi në Wembley mbahej nga grupi britanik Coldplay, i cili vitin e kaluar zhvilloi 10 koncerte të njëpasnjëshme në këtë stadium.
Fillimisht, Styles ishte planifikuar të mbante vetëm gjashtë shfaqje në Wembley, por kërkesa jashtëzakonisht e lartë nga fansat bëri që numri i koncerteve të dyfishohej.
“Seria rekord e 12 koncerteve të Harry Styles është dëshmi e përmasave, ambicies dhe ndikimit kulturor të performancave të tij live, si dhe e lidhjes së jashtëzakonshme që ai ka me fansat e tij”, deklaroi gjyqtari i Guinness World Records, Will Munford.
Ai shtoi se Wembley është një nga skenat më ikonike të koncerteve në botë dhe se arritja e numrit më të madh të shfaqjeve radhazi gjatë një turneu të vetëm përbën një sukses të jashtëzakonshëm.
Në koncertin e fundit, rreth 80 mijë fansa u mblodhën për të dëgjuar këngë nga albumi i tij i ri “Kiss All the Time. Disco, Occasionally”, përfshirë hitet “Aperture” dhe “Dance No More”, por edhe këngë të njohura si “Adore You”, “Watermelon Sugar” dhe “Music for a Sushi Restaurant”.
Gjatë mbrëmjes, Styles ndaloi për një moment për të kujtuar rrugëtimin e tij me One Direction dhe rolin që grupi pati në karrierën e tij.
“Nuk do të isha në këtë skenë nëse nuk do të ishin katër miqtë e mi që ishin një pjesë shumë e rëndësishme e këtij rrugëtimi”, tha ai.
Styles falënderoi ish-anëtarët e grupit Niall Horan, Louis Tomlinson, Zayn Malik dhe mikun e tij të ndjerë Liam Payne, duke theksuar se periudha me One Direction i mësoi shumë për miqësinë dhe jetën.
“Ky moment nuk do të ishte i mundur pa ju. Nuk do të isha këtu pa ju. Ju falënderoj shumë”, u shpreh këngëtari.
Harry Styles ishte shfaqur më parë në Wembley së bashku me One Direction në vitin 2014, gjatë turneut “Where We Are”, ku grupi zhvilloi tre koncerte radhazi.
Pas Londrës, turneu “Together, Together” do të vijojë në São Paulo të Brazilit më 17 korrik, përpara se Styles të udhëtojë drejt Nju Jorkut, ku më 26 gusht nis një seri prej 30 koncertesh në Madison Square Garden, sipas raportimeve të The Hollywood Reporter./mxh
