Last Updated on 08/07/2026 by EL
Tetë persona janë arrestuar për veprën “marrje me prostitucion” dhe shtatë të tjerë që u hasën me fëmijët e tyre duke kërkuar lëmoshë, gjatë një operacioni policor të zhvilluar nga 8 deri më 12 qershor.
Policia e Kosovës tha se plani i këtij operacioni kundër trafikimit me qenie njerëzore ishte i koordinuar me agjenci ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, përfshirë EUROPOL, INTERPOL dhe FRONTEX.
“Gjatë realizimit të këtij plani, nuk është identifikuar ndonjë rast i veprës penale ‘trafikimit me njerëz’”, tha Policia.
Policia tha se gjatë realizimit të operacionit evidentoi katër raste për “marrje me prostitucion” – eskorta, dhe nga tetë të arrestuarit për këtë vepër, janë katër meshkuj kosovarë, dy shtetase të Brazilit dhe dy të Kolumbisë.
Ndërkaq, në njoftim u tha se sa i përket kërkimit të lëmoshës janë arrestuar katër shtetase të Serbisë, dy të Kosovës dhe një e Malit të Zi “të cilat janë hasur me fëmijët e tyre në rrugë dhe sheshe duke kërkuar lëmoshë”.
Trembëdhjetë fëmijët kanë marrë trajtim në qendrat për punë sociale dhe më pas, ndaj shtatë të arrestuarve për shfrytëzim të fëmijëve, është iniciuar rasti për veprën penale të “keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijës”. Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim me gjobë dhe me burgim nga një deri në pesë vjet për prindërit apo kujdestarët që i detyrojnë fëmijët të kërkojnë lëmoshë.
Në këtë operacion policor janë kryer inspektime në lokalet e muzikës live dhe qendra të masazhit. Pas inspektimeve, gjashtë lokale të muzikës live, nëntë prej tyre u mbyllën për shkka të shkeljeve administrative.
Ndërkaq, gjatë inspektimit të 62 qendrave të masazhit, janë hasur edhe 45 shtetase të huaja, nga Shqipëria, Tajlanda, Filipinet dhe nga Malavi. Nga inspektorët, dhjetë qendra masazhi u mbyllën gjatë këtij operacioni.
“Gjatë realizimit të këtij plani, të gjitha punëtoreve të hasura duke punuar në ‘Lokale të muzikës’, ‘Qendra Masazhi’ dhe ‘Eskorta’ u është dhënë mundësia e deklarimit nëse ndonjëra nga to është viktimë e ndonjë forme të shfrytëzimit [trafikimit], mirëpo nuk ka rezultuar me ndonjë rast”, tha Policia.
Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë kishin mbyllur dhjetëra qendra masazhi e klube nate në mbarë vendin. Gjatë një aksioni të kryer në fund të vitit 2024 që kishte në shënjestër qendrat e masazhit dhe klubet e natës, ishin arrestuar 28 persona./ET
