Last Updated on 04/12/2025 by EL
Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur që Hashim Thaçi të vazhdojë të qëndrojë në qelitë e paraburgimit. Vendimi për të dhe të tjerët është marrë më datë 3 Dhjetor, kur ishte afati i rishikimit, dhe ka mbetur i pandryshuar.
Sipas gjykatës, nëse Hashim Thaçi do të lirohej, ekziston rreziku që të pengojë ecurinë e gjyqit dhe të kryejë vepra të tjera penale.
“Në vendimin mbi rishikimin e paraburgimit më 3 dhjetor 2025, Gjykatësi i Vetëm urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut. Gjykatësi Gosnell konstatoi se ekziston rreziku real që të akuzuarit, nëse do të liroheshin, mund të pengojnë ecurinë e procesit dhe të kryejnë vepra penale të tjera”, ka njoftuar Gjykata Speciale.
Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u arrestua në nëntor të vitit 2020, bashkë me tre ish-udhëheqësit e tjerë politikë e ushtarakë të UÇK-së si Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale konfirmoi aktakuzën ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në datën 26 tetor të 2020.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.
Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve. Megjithatë, pavarësisht akuzës dhe pretendimeve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm dhe dëshmitarët në proces e kanë pohuar këtë./e.t
