Rusia ka ngritur një rrjet bazash ushtarake sekrete, të afta për të lëshuar dronë të fuqishëm kamikazë thellë brenda territorit të vendeve të NATO-s.
Sipas një hetimi të publikuar nga e përditshmja britanike The Telegraph, janë zbuluar prova për ekzistencën e të paktën dhjetë bazave të reja të Kremlinit, të pajisura me platforma të posaçme lëshimi për mjetet fluturuese pa eipazh me rreze të gjatë veprimi.
The Telegraph shton se, këto baza përbëjnë një kërcënim afatgjatë për aleatët e NATO-s, pasi i sjellin ato brenda rrezes së dronëve sulmues të përparuar të Vladimir Putinit.
Analistët paralajmërojnë se kjo teknologji, e cila po zhvillohet me shpejtësi, mund të kthehet edhe kundër Evropës në rast lufte, pasi nga disa nga bazat, dronët më të fuqishëm rusë mund të arrijnë në Varshavë.
Zyrtarët evropianë dhe amerikanë të inteligjencës vlerësojnë se Rusia po shqyrton mundësinë e një provokimi të armatosur në territorin polak, me sulme me dronë dhe raketa, pa përjashtuar mundësinë e operacioneve mashtruese kundër infrastrukturës kritike me qëllim fajësimin e Ukrainës për to.
Një zyrtar i NATO-s i tha gazetës Telegraph se aleanca është e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit aleat” dhe se do të vazhdojë të rritë nivelin e gatishmërisë për të penguar dhe mbrojtur kundër çdo kërcënimi, përfshirë dronët.
Duke përdorur dokumente të rrjedhura dhe imazhe satelitore, The Telegraph identifikoi të paktën 59 shina të reja lëshimi, shina udhëzuese mekanike të përdorura në ngritjen e dronëve me krahë të fiksuar në vend të një piste tradicionale përgjatë kufirit të Rusisë me Bjellorusinë dhe Ukrainën./mxh
