Last Updated on 11/06/2026 by Monika
Restoranti mitik “Noma” në Kopenhagë, i shpallur për disa vite me radhë si më i miri në glob, do të rihapë dyert në muajin gusht. Por, ky rikthim shënon edhe fundin e një epoke për njeriun që e ngriti në majat e botës. René Rexhepi, shefi gjenial me origjinë shqiptare që revolucionarizoi kuzhinën nordike dhe i siguroi biznesit tre yje Michelin, do të ketë tashmë një rol shumë më pak protagonist.
Vendimi vjen pas një stuhie mediatike që tronditi botën e kulinarisë luksoze dhe që preku direkt imazhin e kryekuzhinierit shqiptaro-danez. “The New York Times” publikoi dëshmi të dhjetëra ish-punonjësve, të cilët akuzuan Rexhepin për abuzim fizik dhe psikologjik mes viteve 2009 dhe 2017. Edhe pse nuk pranoi çdo detaj, ai kërkoi ndjesë publike, duke pranuar se veprimet e tij kishin qenë të dëmshme për stafin.
Përmes një postimi në Instagram, ai njoftoi se pas rihapjes më 5 gusht, do të tërhiqet nga drejtimi i përditshëm për t’u fokusuar vetëm në projekte afatgjata kërkimore, duke eksperimentuar me insekte, alga detare dhe teknologji.
Fratë e kuzhinës më të famshme në botë tashmë i kalojnë Pablo Sotos, i cili merr rolin e kryeshefit, ndërsa Mette Søberg do të udhëheqë departamentin e kërkim-zhvillimit.
Por, përjetimi i menusë së krijuar nga gjeniu me origjinë shqiptare mbetet një luks që pak kush mund t’ia lejojë vetes. Një darkë në “Noma”, e shoqëruar me verë, do të kushtojë plot 6,500 korona daneze, apo rreth 1,000 dollarë për person. Për ata që preferojnë lëngjet e frutave në vend të alkoolit, çmimi ulet minimalisht në 6,000 korona./mxh
